
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka në dorë të gjithë të dhënat për pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Rreth 770 zyrtarë të drejtësisë vendosën të hyjnë në veting, ndërkohë që gazeta ka siguruar të dhënat e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deri në fund të vitit 2019. Sipas statistikave, është bërë një verifikim i thelluar për të gjithë emrat, ndërkohë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do e ketë më të lehtë për të përshpejtuar procedurat për përballjen e zyrtarëve të drejtësisë me trupën gjykuese. Referuar statistikave të ILDKPKI-së, vetëm për vitin 2018, ka përfunduar verifikimi i proceseve të kontrollit të deklaratave të pasurive, për të paktën 411 zyrtarë të drejtësisë. Gazeta ju drejtua me një shkresë ILDKP, e cila informoi se: “Konkretisht, gjatë vitit 2018, ka përfunduar dhe dorëzuar pranë këtyre organeve, dokumentacionin e plotë, së bashku me raportet e hollësishme dhe të arsyetuara për gjyqtarët e gjykatave të apelit, Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe prokurorët e prokurorive të apelit, Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, ndihmësit dhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe gjykatave administrative, për periudhën janar – dhjetor 2018, në total për 411 subjekte të procesit të rivlerësimit”. ILDKP, më tej ka pasqyruar edhe shifrën zyrtare të raporteve në lidhje me kontrollin e deklarimeve të pasurisë, të përfunduar nga vetë ky institucion për vitin 2019. Sipas të dhënave, vitin që lamë pas janë dorëzuar pranë organeve përkatëse të paktën 200 raporte. “Ndërkohë që, për periudhën janar-10 dhjetor 2019, ILDKPKI ka përfunduar dhe dorëzuar pranë këtyre organeve, dokumentacionin e plotë, së bashku me raportet e hollësishme dhe të arsyetuara për 200 subjekte të procesit të rivlerësimit”, shkruhet në përgjigjen e ILDKP. Më tej, në një shifër përfundimtare të punës së tyre, ILDKP bën me dije se ka dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në total 678 raporte të zyrtarëve të drejtësisë. Por puna ka vijuar dhe gjatë 2020 dhe mësohet se është mbyllur procesi për të gjithë emrat.
Në skaner kandidatët për Gjykatën Kushtetuese
Një rëndësi e madhe i është kushtuar nga ILDKP dhe garës për në Gjykatën Kushtetuese dhe ILD. Gjatë vitit që lamë pas janë verifikuar 8 emrat finalë të nxjerrë nga KED. “Në tetor 2019, ILDKPKI pasi përfundoi kontrollin e plotë të Deklaratës së Pasurisë dhe Interesave Private të 8 kandidatëve për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë, specifikisht për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, ka dërguar pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi aktet e përfundimit të kontrollit të plotë të Deklaratës së Pasurisë dhe Interesave Private të kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”, shkruhet në raport. Ndërkohë momentalisht janë në fazë verifikimi kandidatët e fundit të nxjerrë nga Presidenca dhe Kuvendi. Meta ka hapur garën për dy vende vakante, ndërsa Ruçi për një vend vakant. Pas seleksionimeve të KED do bëhet dhe skanimi pasuror.









































