Google search engine
Home Politike Drejtesi Kushtetuesja në paligjshmëri, zbardhen qëndrimet e Këshillit të Legjislacionit, Vitore Tusha në...

Kushtetuesja në paligjshmëri, zbardhen qëndrimet e Këshillit të Legjislacionit, Vitore Tusha në mbështetje të Xhaferllarit

0
621

Gjykata Kushtetuese dyshohet se ka nisur funksionimin në paligjshmëri. Dekretimi i Marsida Xhaferllarit nga presidenti Meta e ka futur në një rreth vicioz Kushtetuesen, pasi secili bën sipas hesapit të vet. E bukura është se Kushtetuesja është një organ kolegjial, por momentalisht aty ligjin e bën Vitore Tusha. Kësaj të fundit i ka mbaruar mandati, por ka marrë kompetencat e kryetarit duke mos treguar paanshmëri. Edhe pse nuk ka një vendim se kush është anëtare e Kushtetueses, Xhaferllari apo Arta Vorpsi, Tusha e ka bërë zgjedhjen e saj. Gjatë dy ditëve të fundit erdhi Komisioni i Venecias për të hedhur dritë mbi këtë çështje, por e bukura është se Tusha në takimin me ta ka marrë me vete dhe Xhaferllarin. Kjo është pasqyruar në faqen zyrtare të Kushtetueses. Ata kanë pasur takim dhe me Arta Vorpsin, e cila është këshilltare e Gjykatës Kushtetuese për shumë vite. Ky takim nuk është publikuar nga gjykata. Por skandali është se Xhaferllari ka nisur të marrë vendime përmes ndihmës së Vitore Tushës, edhe pse nuk ka një vendim të formës së prerë nga Gjykata Kushtetuese se kujt i takon mandati. Në Kushtetuese është ngritur Kolegji, i cili vendos nëse do kalojnë për shqyrtim paditë apo jo. Xhaferllari ka marrë pjesë në shumicën e rasteve. Por nëse nesër del që ajo është në shkelje të ligjit, atëherë çfarë ndodh me këto vendime.

Dyshimet për paligjshmëri

Pyetja që shtohet është: Kë duhet të besojmë në këtë mes? KED shprehte se Metës i mbaron afati dhe e emëruar quhet Arta Vorpsi, kështu shprehet dhe Kuvendi, ndërsa Presidenca mendon të kundërtën. Por gazeta ka siguruar dhe vendimmarrjen e Këshillit të Legjislacionit në Parlamentin e Shqipërisë. Kur u bë votimi i Fjona Papajorgjit dhe Elsa Toskës, u mblodh Këshilli për të interpretuar se kujt i takon mandati. “Presidenti në këtë arsyetim i referohet nenit 179, pika 2, të Kushtetutës, e cila ka përcaktuar radhën që kandidatin e parë e zgjedh Presidenti, të dytin e zgjedh Kuvendi dhe të tretin Gjykata e Lartë. Në fakt, këtë gjë e thotë edhe Kushtetuta, por Kushtetuta thotë edhe një gjë tjetër që: “Nëse këto tri organe, që përfshihen në kompozimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë brenda 30 ditëve nga momenti që marrin listat respektive me kandidatët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të nesërmen e skadimit të afatit 30-ditor, që janë ditë kalendarike, kandidati i renditur i pari në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i emëruar në rastin kur është kandidaturë e Presidentit, i zgjedhur kur është kandidaturë e Kuvendit dhe i zgjedhur kur është kandidaturë e Gjykatës së Lartë”. Kjo do të thotë se afati 30-ditor është afat prekluziv, që nuk mund ta pezullojë asnjë organ kushtetues. Kushtetuta nuk pezullohet, aq më tepër me një letër. Kushtetuta zbatohet de jure, për efekt të ligjit”, ka deklaruar Këshilli i Legjislacionit. Më tej thuhet se në bazë të Kushtetutës dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti brenda datës 07.11.2019 ora 00:00, do të duhej të dekretonte dy anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, që i takojnë Presidentit të Republikës. “Rezulton se Presidenti i Republikës e ka ushtruar këtë gjë për vakancën e datës 07.02.2018 dhe në datën 15 tetor ka dekretuar emërimin e zoti Besnik Muçi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili tashmë është anëtar i Gjykatës Kushtetuese, sepse e ka bërë betimin, ndërsa për vakancën e dytë, në letrën e datës 05 nëntor, që i ka sjellë Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, thotë: “Unë nuk do ta ushtroj këtë të drejtë që më jep Kushtetuta brenda afatit 30-ditor, sepse tani radha i takon Kuvendit”. Duke qenë se kandidatët janë pothuajse të njëjtë edhe në listat që ka marrë Presidenti, por edhe në listat që i kanë ardhur Kuvendit për 2 vakancat e tij, (për hir të vërtetës Kuvendi i ka marrë në datën 14 tetor 2019 dhe afati prekluziv 30-ditor Kuvendit i mbaron në datën 13 nëntor në orën 00:00), Kryetari i Kuvendit i është drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke i thënë: “Meqenëse ju jeni organi që keni prodhuar listën, ashtu siç ju ngarkon Kushtetuta për ta bërë këtë gjë, a mund të na informoni lidhur me ecurinë e plotësimit të vakancave për Gjykatën Kushtetuese, që i takojnë Presidentit të Republikës deri në këtë moment”,theksohet më tej.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here