Byrja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit duket se po i lënë pa gjumë të korruptuarit në vend. Edhe pse ka shumë nga ata që besojnë se SPAK nuk do të prodhojë rezultate, sinjalet janë të qarta se ka shumë nga ata që janë trembur. Të dhënat e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e tregojnë qartë se që kur ka nisur reforma në drejtësi, pushtetarët kanë shtuar tentativat për të fshehur pasuritë. SHBA dhe BE kanë muaj që deklarojnë se duhet të hetohen të korruptuarit dhe t’u sekuestrohen pasuritë. Pra nëse SPAK dhe BKH do të funksionojnë sipas përcaktimeve ligjore, nuk është çudi që të kemi dhe sekuestrime pronash për pushtetarët, disa e kanë nuhatur dhe po tentojnë të mos i deklarojnë të gjitha të ardhurat dhe pasuritë. Reforma nisi në vitin 2016, por gjatë 2017 u bë ngritja e institucioneve të para. Sipas të dhënave të ILDKP, gjatë vitit 2017 janë kallëzuar penalisht 32 zyrtarë të lartë, të cilët kanë fshehur pasuritë. Nëse vijmë në vitin 2018, ky numër ka shkuar në 53, pra kemi një rritje me gati 40 për qind, por ai që i vë kapak është viti 2019. Gazeta ka siguruar në mënyrë ekskluzive të dhënat e ILDKP për vitin që lamë pas dhe bëhet me dije se janë kallëzuar penalisht plot 113 zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë, ish-ministra, këshilltarë ministrash, drejtorë drejtorie, kryetarë bashkish, etj. Pra gjatë 3 viteve të fundit të reformës në drejtësi, kemi një trend rritës me gati 50 për qind të zyrtarëve që nuk deklarojnë pasuritë? Si për koincidencë, gjatë vitit 2019 u hodhën themelet e SPAK dhe viti 2020 shihet si viti që do të sjellë arrestimet e para. Kjo gjë dyshohet se i ka shqetësuar ata që kanë vënë pasuri të paligjshme dhe për këtë arsye kanë nisur manovrat. Por duhet theksuar se kaq janë zbuluar nga ILDKP, ndërkohë ka shumë nga ata që nuk janë zbuluar ende. Kur Byroja e Hetimit të marrë jetë, duket se do ketë shumë zhvillime në aspektin pasuror, kjo pasi këtë vit pritet që ILDKP të publikojë online të gjitha deklarimet pasurore.
Statistikat
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gjatë periudhës 2014-2018 ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit 315 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Drejtorë Drejtorie etj. Për periudhën janar-dhjetor janë 113 raste referimesh. Ndërkohë 52 emra janë gjobitur, pasi kanë refuzuar të deklarojnë pasuritë. Ndërsa për periudhën janar-dhjetor 2018 ILDKPI shprehet: “Për vitin 2018, Inspektorati i Lartë, ka paraqitur pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit 53 raste referimesh në të cilët janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Prefekt, Ambasador, Këshilltar Ministri, Drejtor i Përgjithshëm, Drejtor Drejtorie etj”. Ndërkohë për vitin 2016 ILDKP bën me dije se ka pasur 32 referime në organet kompetente. Po ashtu ka treguar dhe vlerën e pasurive të fshehura. “Kallëzimet penale të zyrtarëve të nivelit të lartë për periudhën 2003-2014 përkojnë me një shumë prej rreth 1.2 milionë euro pasuri, e cila nuk rrjedh nga burime të ligjshme dhe është e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore, ndërsa për periudhën deri 31.12.2017 kjo shumë ka arritur në vlerën prej rreth 80 milionë euro pasuri të dyshuar të krijuar nga burime jo të ligjshme dhe e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore”, thuhet në raportin e ILDKP. Pra nëse shohim shifrat, duke qartë se reforma ka trembur shumë pushtetarë dhe ata e dinë se në momentin që nuk justifikohet pasuria, atëherë do të ketë telashe.








































