Delegacioni i Komisionit të Venecias ka mbyllur dje takimet në Tiranë, sa i takon konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Dje takime ka pasur me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ku u diskutua nëse presidenti shkeli apo jo ligjin me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Të enjten, ekspertët u takuan me anëtarët e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës, ku mësohet se janë informuar me detaje mbi nenin 7/b të ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese, i cili i jep presidentit 30 ditë afat të bëjë dekretimet. Por goditjen finale ndaj presidentit e ka dhënë kreu i KED-së, Ardian Dvorani. Sipas burimeve të gazetës, ai ka shpjeguar para ekspertëve të Venecias të gjithë procedurën e ndjekur nga KED, për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu ka shpjeguar qartë dhe përcaktimet ligjore mbi afatet dhe radhën e emërimeve. Gazeta ka mësuar se Dvorani i ka qëndruar deklarimeve të mëparshme, duke u shprehur se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore me dërgimin e listave në Presidencë dhe në Kuvend. Ndërkohë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në një njoftim për mediat ka zbardhur detajet nga takimi. “Vizita ishte në kuadër të dhënies së opinionit “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës së ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, kanë njohur anëtarët e delegacionit me veprimtarinë e zhvilluar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për vitet 2019 dhe 2020, duke shpjeguar rolin e këtij këshilli në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, shkruhet në njoftim. Në vijim, sipas njoftimit, anëtarët e KED-së kanë sqaruar delegacionin e Venecias rreth debatit për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi iu përgjigjën pyetjeve të delegacionit në lidhje me çështjet të cilat janë bërë objekt diskutimesh dhe debatesh mes institucioneve, gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar veprimtarinë dhe vendimmarrjen e tyre gjatë këtyre proceseve”, thuhet në njoftim.
Takim me anëtarët e Kushtetueses
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias në vizitën dy ditore në Shqipëri kanë zhvilluar një takim edhe me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Tusha, në rolin e kryetares së gjykatës në fjalë, i shpjegoi Komisionit të Venecias për situatën në të cilën ndodhet Kushtetuesja. “Gjatë takimit, pasi u nënvizua bashkëpunimi i gjatë dhe i fytshëm i Komisionit të Venecias me Gjykatën Kushtetuese, zonja Tusha bëri një prezantim të shkurtër të situatës aktuale të Gjykatës Kushtetuese, plotësimit të disa prej vakancave të saj, si dhe të rëndësisë që mbart bashkëpunimi institucional dhe luajaliteti kushtetues në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim rinisjen e funksionalitetit të plotë dhe veprimtarisë së saj vendimmarrëse, si dhe rritjen e besimit të publikut te ky institucion kushtetues që garanton mbrojtjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri”, thuhet në njoftim.