Kompanitë celulare në vend vijojnë “të rrjepin” qytetarët përmes tarifave super të larta. Ashtu sikurse ka ndodhur për vite me radhë, ditët e fundit kompanitë kanë rritur sërish kostot e ofertave. Por Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka pranuar këtë vendim, duke e bllokuar. Kompanitë që kanë rritur ofertat dhe që më pas janë bllokuar nga Autoriteti i Konkurrencës janë Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelekom. Kompania e parë që ka dorëzuar pranë AK shkresën ku njoftohej rritja e tarifave, ka qenë Vodafone, e cila e ka nisur këtë njoftim në datën 7 janar. “Vodafone Albania me 7 Janar 2020 ka njoftuar në faqen e saj të internetit se nga data 11 Shkurt 2020, Vodafone Albania do të ofrojë paketat e reja 30 ditore me parapagesë. Gjithashtu duke filluar nga data 11 Shkurt 2020, për Vodafone vlera e re minimale për rimbushjeje do të jetë 200 lekë”, thuhet në vendimin e Autoritet të Konkurrencës. Më pas ka qenë “Albtelekom” dhe “Telekom” që kanë njoftuar mbi ndryshimet në çmim dhe përmbajtje të paketave. Sakaq pranë Autoritetit të Konkurrencës kanë mbërritur edhe ankesa nga konsumatorët e paketave telefonike. Kësisoj Autoritet i Konkurrencës vendosi që të kryente një monitorim për tre kompanitë në fjalë.
Tarifat e “Vodafone”
Autoriteti i Konkurrencës pas vrojtimit dhe hetimit që bëri, ka konstatuar se sa i takon kompanisë “Vodafone” ajo ka rritur me 200 lekë paketat. Por po ashtu, AK nënvizon se paketa “Vodafone Talk” mbetet e pandryshuar. “Secila prej paketave rriten me 200 lekë, por ndryshime ka edhe në njësitë që përfitohen. Konkretisht paketa Vodafone Talk mbetet e pandryshuar, ndërsa paketat Combo, Z, Silver dhe Gold do të pësojnë rritje të njësive MB me 0.5 për paketën Combo dhe 1GB për katër paketat e tjera. Gjithashtu paketa Gold pëson një rritje me 40 minuta ndërkombëtare”, thuhet në vendim.
Tarifat e “Albtelekom”
Nga inspektimi bërë në terren, Autoriteti i Konkurrencës, për kompaninë “Albtelekom” ka konstatuar se, vlera minimale e rimbushjes në këtë kompani do të jetë 200 lekë. Po ashtu kompania ka njoftuar se nga data 30 janar 2020 do të ofrojë pesë paketa të reja 30 ditore për pajtimtarët me parapagesë. Edhe tek kjo kompani AK ka konstatuar një rritje prej 200 lekësh. “Nga krahasimi i paketave ekzistuese para këtij ndryshimi me paketat e reja vihet re një rritje në çmim me 200 lekë, si dhe një rritje e vlerës minimale të rimbushjes me 100 lekë (nga 100 në 200). Paketat e reja që ofron Albtelekom janë paketat Super 900 lekë, Super 1300 lekë, Super 1500 lekë, Gigastike 1500 dhe Super 2100 lekë. Sipas njoftimit të Albtelekom, në paketën Super 900 sasia e minutave, MB dhe SMS mbetet e pandryshuar”, thuhet në vendim.
Tarifat e “Telekom Albania”
Edhe kompania Telekom Albania është pjesë e listës, ku Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar një rritje prej 200 lekësh në çmim për të gjitha paketat, ashtu si tek kompanitë e tjera, çka tregon se ka pasur një marrëveshje mes kompanive. “Vihet re që të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 leke, nga 100 në 200 lekë, në periudhën kohore 30 Janar – 11 shkurt 2020, sjellje e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar”, thuhet në vendim. Si pasojë e këtyre hetimeve Autoriteti i Konkurrencës vendosi, ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet “Vodafone Albania”, “Telekom Albania” dhe “Albtelekom”.