Bosët e krimit 1.5 mld dollarë fitime në vit, miratohet ligji për konfiskimin e pasurive, ja si do veprohet në rastet kur SPAK rrëzon OFL

0
277

Në kuadër të ndryshimeve ligjore që po bëhen së fundmi me paketën anti-KÇK janë bërë disa amendime edhe në ligjin ekzistues “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, pasuritë e krimit do të bllokohen menjëherë, pa pritur vendimin e gjykatës, ndërkohë që fati i tyre do të përcaktohen nga Agjencia e Administrimit Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara bashkë me një Komitet Ndërinstitucional të ngritur për këtë qëllim. Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi ditën e djeshme ndryshimet përkatëse në ligj, të cilat zgjerojnë ndjeshëm kompetencat e Agjencisë si dhe Komitetit Ndërinstitucional. Ndryshimet u argumentuan në Komision nga zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, sipas të cilit Agjencia e Administrimit të këtyre aseteve nuk do jetë më në varësi të Ministrisë së Financave, por asaj të Brendshme. Ndërkohë që Agjencisë i shtohen edhe kompetenca të tjera. Deri tani kjo agjenci administronte vetëm pasuritë anti-mafia, por me ligjin e ri do të administrojë edhe ato të krimit në përgjithësi. Ndryshime pësojnë edhe kompetencat e Komitetit Ndërinstitucional, i cili ka pasur rol këshillimor, e ndërsa tani do ketë rol vendimmarrës. “Ky projektligj është pjesë e paketës kundër krimit dhe terrorizimit. Roli i agjencisë është i rëndësishëm, dhe synon fuqizimin e kompetencave të kësaj agjencie si dhe i jep të drejtë vendimmarrëse. Agjencia ngarkohet edhe për administrimin e provave materiale, i kalon në varësi Ministrisë së Brendshme. Agjencia merr rol të shtuar duke u listuar si palë. Ka të drejtë ti drejtohet me kërkesë për të tjetërsuar dhe asgjësuar pasuri. Po ashtu i drejtohet gjykatës për tjetërsimin e provave. Kanalizohet shitja e pasurive të paluajtshme. Do ngrihet brenda saj Komiteti ndërinstitucional që është vendimmarrës për këto pasuri. Fuqizohet roli i komitetit ku nga karakteri këshillimor tani ka rol vendimmarrës për administrimin dhe përdorimin e këtyre pasurive”, tha Lamallari.

Financimi i bosëve të krimit

Por miratimi i ligjit të ri për sekuestrimin e një pasurie pa marrë më parë një vendim gjykate, duket se do të sjellë edhe një sërë problemesh në buxhetin e shtetit. Deputetët e opozitës ngritën pikëpyetje mbi faktin që sekuestrimi bëhet para vendimit të gjykatës, dhe s’i do të veprohet me pronat në rast se i dyshuari shpallet i pafajshëm. Lamallari solli shembullin e Anglisë, ku sekuestro vihet menjëherë me nisjen e procedimit penal, dhe pronat administrohen nga shteti deri në momentin e vendimit të gjykatës. Zv.ministri i Brendshëm shtoi më tej se nëse gjykata vendos të kundërtën atëherë agjencia jo vetëm që do rikthejë pronën, por edhe do të financojë bosët e krimit për dëmin që mund t’i ketë shkaktuar gjatë kohës që një objekt ka qenë nën sekuestro. “Sekuestrimi dhe konfiskimi janë dy koncepte të ndara. Sekuestrimi është bllokimi apo marrja e masave të menjëhershme që jepet ndaj pasurive që janë në rrethana që posedohen që janë vënë në mënyrë të paligjshme. Kjo ka qenë dhe do mbetet një praktikë e cila tregon edhe konsolidimin e zbatimit të ligjeve për të reaguar në mënyrë të menjëhershme ndaj krimit të organizuar. Afatet që i njoftohen SPAK dhe gjykatës, për nga vendimmarrja e Gjykatës së Shkallës së Parë për në Gjykatën e Apelit janë të përcaktuara edhe në aktin normativ. Në asnjë moment konfiskimi nuk bëhet nga një organ administrativ, përveçse nga gjykata. Veprimtaria e agjencisë ka pikërisht këtë funksion që gjatë kohës që është nën sekuestro ta miradministrojë dhe në rast kur gjykata disponon ndryshe, të kthejë pasurinë dhe vlerën e humbur. Kjo ka qenë praktikë dhe e mëparshme, ndodh dhe tani”, tha Lamallari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here