Gjyqtarët dhe prokurorët e zhytur në afera, përveç pezullimit brenda 3 ditësh, rrezikojnë edhe sekuestrim pasurie. Të mërkurën Parlamenti miratoi ligjin mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku shtohen kompetencat e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Gazeta ka siguruar variantin final të ligjit, ku ILD mund të bëjë edhe verifikim pasuror për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në vend. Sapo të bëhet një denoncim i bazuar në prova, ILD nis hetimin pasuror. Referuar ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas nenit 124, është shtuar neni 124/1, ku parashtrohet “Verifikimi i pasurisë dhe figurës”. Në këtë nen bëhet me dije se ILD-ja do të kërkojë informacione tek 7 institucione, ku dhe do të nisë dhe puna për verifikimin e pasurisë dhe figurës. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë brenda një jave nga vendimi për fillimin e hetimeve, sipas nenit 123 dhe 124, të këtij ligji, kërkon informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokuroria, Policia e Shtetit, organet e administratës tatimore dhe doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës të magjistratit si dhe çdo institucion tjetër kompetent për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkelje tjetër disiplinore”, shkruhet në variantin përfundimtar.
Bashkëpunëtorët e ILD-së
Në pikën dy të këtij neni, parashtrohet se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në kuadër të punës për të hetuar prokurorët dhe gjyqtarët, mund të kërkojë informacion shtesë jo vetëm nga institucionet e sipërpërmendura, por edhe nga çdo institucion tjetër publik apo subjekt privat, të cilat, sipas pikës 3 të po këtij neni, duhet të përmbushin kërkesat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë informacion shtesë nga institucionet e përmendura pikën 1 të këtij neni, si dhe nga çdo institucion tjetër publik apo subjekt privat. Çdo institucion publik apo subjekt privat duhet të përmbushë kërkesat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për informacion, dokumentacion, ose materiale të tjera në lidhje me një hetim, brenda afatit ligjor të arsyeshëm të përcaktuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në kërkesën e tij, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj”, shkruhet më tej. Në kompetencat që i janë dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në pikën 4 të këtij neni, tregohet se çfarë pësojnë zyrtarët e drejtësisë nëse konstatohet se kanë kryer shkelje disiplinore. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë në rast se nga verifikimi i pasurisë dhe figurës rezulton se ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e ndonjë shkelje tjetër disiplinore, përveç rastit kur shkelja përbën vepër penale, merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit sipas përcaktimeve të nenit 125 të këtij ligji”, thuhet në variantin përfundimtar. Ndërkohë që në ligj janë bërë të tjera ndryshime, lidhur me pezullimin e zyrtarëve në rastin se provohet se janë të përfshirë në afera. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen, se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar i paraqet Këshillit përkatës, raport të arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra”, shkruhet në projektligj.









































