Komedia “Kopshti me dallëndyshe” rikthehet në skenë për publikun te “ArTurbina”. Një komedi brilante, që Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e sjell në skenë për katër mbrëmje me radhë. Vepra e autorit Babis Cikliropulos vjen në skenë me regji nga Kiço Londo. Në mbrëmjet e datave 20-21-22-23 shkurt ora 18:00, në skenë do të jetë një nga veprat teatrore, që ka njohur suksesin e saj jo vetëm në botë, por dhe në teatrin tonë. Pas suksesit të tri shfaqjeve premierë më parë në teatër, komedia vjen në skenë me aktorët e njohur të teatrit Ermira Hysaj, Erand Sojli, Arjola Demiri, Suela Bako, Mehdi Malkaj dhe Naun Shundi. Pesë të “sëmurë psiqikë”, të izoluar në një çmendin, nën kujdesin e një psikiatre, gardiane dhe tinëzare, zbukurojnë një bredh natën e krishtlindjeve. Ata nuk kanë asnjë problem psiqik dhe aq më pak të jenë të rrezikshëm. Problemet e tyre janë shpirtërore. Edhe pse të burgosur në çmendinë ata janë të dashur të dhembshur, fisnike dhe plot humor. Të çmendurit e vërtetë janë në “botën normale”. Në ketë botë janë djajtë, të shëmtuarit, të rrezikshmit. Në këtë botë gjenden shpirtrat e rrënuar nga masakra morale, lakmia dhe pangopësia. Dallëndyshet brenda…grabitqarët jashtë…Edhe pse me zemër të plagosur, të tradhtuar, të depersonalizuar, të shkatërruar personazhet e çmendinës janë gjithë ëndrra dhe thonë të vërteta të mëdha, me humor brilant. Vepra është e mbuluar me vellon më të bukur të humorit, që është krijuar ndonjëherë . Kjo vepër që deri tani ka shënuar sukses në skenën teatrore dhe po rikthehet dhe katër mbrëmje të tjera, është shfaqje e teatrit të rajonit Vlorë-Gjirokastër, projekt që nisi më parë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Pas Tiranës kjo komedi pritet të nisë dhe një tur në veri të vendit, ku do të shfaqet për publikun në disa skena. Vepra është përkthyer nga Vasilika Londo, skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Borana Gjyzeli dhe as/regjisor Kevin Rrapaj dhe Olgert Mataj.
Të qeshura dhe argëtim, në skenë
Në materialin e veprës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se kjo shfaqje sjell ndër të tjera dhe një humor të bukur. “Vepra është e mbuluar me vellon më të bukur të humorit, që është krijuar ndonjëherë. Të qeshura dhe argëtim pafund ju pret në skenën tonë”, pohon teatri. Ndërsa është lajmëruar shfaqja që do të vijë në skenën teatrore, gjatë këtyre ditëve nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” janë prezantuar dhe të tjera pjesë për publikun të shkruara nga autorë të njohur. Ky projekt i takon teatrit të rajoneve, që synon të çojë shfaqjet pranë publikut. Deri tani ky projekt ka rezultuar me sukses, ku për publikun në teatro të ndryshëm të vendit janë shfaqur vepra, që janë mirëpritur dhe sjellë në skenë nga aktorë të njohur dhe të rinj në role. Drejtori Kiço Londo më herët ka pohuar se duke qenë një Teatër Eksperimental, që nuk eksperimentojnë vetëm në aspektin estetik, menduan që të eksperimentohet në organizimin e teatrit. “Na lindi ideja e teatrit të rajonit. E ndamë Shqipërinë në gjashtë rajone, që janë Shkodër-Kukës, Tiranë-Peshkopi, Durrës-Lezhë, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe rajoni i gjashtë është Gjirokastër-Vlorë”, pohonte më parë Londo. Projekti teatri i rajoneve sjell në skenë jo vetëm komedi, por dhe drama të autorëve të njohur.