Parlamenti ka pranuar kërkesën e qeverisë për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Kuvendi ka vendosur që shqyrtimi në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të bëhet në datat 20-21 shkurt 2020. Po ashtu ka vendosur që komisione për dhënie mendimi caktohen Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Sakaq në bazë të vendimit të Kuvendit, amendamentet në komisionin përgjegjës të dorëzohen brenda datës 19.02.2020. Ndërsa shqyrtimi në seancë plenare të bëhet në datën 05.03.2020. Ligji për pasuritë e konfiskuara synon të përcaktojë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, si institucionin përgjegjës për administrimin edhe të provave materiale, përveç pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrativë, si dhe rregullat e procedurat për administrimin e tyre. “Nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet i mundur miradministrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga institucioni i posaçëm dhe organi kolegjial administrativ si dhe do të administrohen e kalohen në pronësi të shtetit provat materiale, sipas përcaktimeve të parashikuara”, thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave. Ky projektligj është në harmoni sa i takon programit të qeverisë, por nuk është i parashikuar në programin analitik të projektakteve për Ministrinë e Brendshme. Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave, miratimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për miradministrim më efiçent dhe kalimin e të gjitha kompetencave të administrimit te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. “Agjencia kalon në varësi të ministrit të Brendshëm, krijon Komitetin Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, i cili do të ketë kompetenca mbikëqyrëse për administrimin dhe vendimmarrëse për kalimin e të drejtave reale, mënyrën e
përdorimit dhe vendimin e destinacionit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, jo vetëm sipas ligjit nr. 10192/2009, por edhe sipas legjislacionit në fuqi për masat për parandalimin, identifikimin, zbulimin, dokumentimin dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit”, thuhet në relacion.










































