Një ngjarje e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik, të tjera detaje janë zbardhur nga pamjet e kamerave të sigurisë në bodrumin e resortit “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, ku shfaqen pengmarrësit dhe vrasësit e Jan Prengës, teksa largojnë trupin e pajetë të 49-vjecarit dhe përpiqen të fshijnë gjurmët e krimit. Siç shihet në foto, pengmarrësit fillimisht janë të maskuar.
Pasi mbërrijnë në garazhin e resortit, me automjetin luksoz Range Rover, me të cilin rrëmbyen Prengën, e nxjerrin trupin e pajetë të tij dhe e fusin në një furgon të bardhë te mbyllur. Burime pranë laboratorit kriminalistik thanë për “News 24” se të dyshuarit janë përpjekur të fshijnë të gjitha gjurmët e krimit, duke ndërruar rrobat dhe duke pastruar dyshemenë me solucion.
Ata shfaqen më pas duke dëmtuar edhe kamerat e sigurisë, por pa ia dalë mbanë. Pamjet e fiksuara nga kamerat në bodrum, i dhanë mundësinë grupit të hetimit të të identifikojë dhe më pas të 5 prej të dyshuarve, tyre, si dhe të shpallë në kërkim disa të tjerë, ndërsa Ardian Doçaj u vetëdorëzua. Përmes pamjeve filmike, Policia e Tiranës arriti në konkluzionin se Jan Prenga është vrarë dhe dyshimet janë se trupi i pajetë i tij është groposur në rrethinat e Shijakut, edhe pse kërkimet e deritanishme për gjetjen e kufomës nuk kanë dhënë rezultat.
Hetimet për pengmarrjen u kryen nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim të ngushte me policinë e Shtetit. Institucioni i akuzës në kryeqytet ka larë duart tashmë nga kjo dosje duke ia kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, ndryshe SPAK, për faktin se ka dyshime të forta bazuar në prova, se autorët kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.












































