Mesfushori Klaus Gjasula po bën një sezon të mirë e progresiv në Bundesligë, me skuadrën e tij Padërbon, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur jo vetëm të skuadrës së tij por edhe në kampionatin gjerman, lojtar që punon për grupin dhe i shërben vetëm atij., me pak fjalë Gjasula është futbollist që sakrifikon për skuadrën dhe kjo është arsyeja që loja e tij pëlqehet dhe ai ka marrë vëmendje edhe në ekipin përfaqësues, sidomos nën trajnerin Edi Reja, i cili i ka besuar mesfushorit me “kokore” që të dirigjojë lojën e grupit në repartin e mesit të fushës dhe nuk ka mbetur i zhgënjyer. Kjo pasi Gjasula është përshtatur mirë me skemat e lojës së teknikut veteran italian dhe ka ditur të krijojë profilin e një futbollisti të suksesshëm. “Klaus Gjasula është njeriu i javës tek ekipi i Paderbornit. Skuadra po vuan shumë për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes dhe goli i Gjasulës, i cili u fut në lojë në minutën e 11-të pas dëmtimit të Sabiri, e ndihmoi jo pak për të marrë një barazim të vyer në një nga stadiumet më të vështirë të Bundesligës, pikërisht në arenën e Shalkes”, shkruajnë mediat gjermane. 30-vjeçari arriti të barazojë me një goditje këndi në minutën e 81. Gjasula është prononcuar për mediet gjermane dhe ka folur rreth këtij sezoni dhe situatës para asaj ndeshje. Mesfushori gjithashtu tregon edhe lëvizjen e tij në momentin e golit të parë në ndeshjen e tij të parë në shtëpinë e Shalkes. “Ndihem shumë mirë. Ishte hera e parë të luaja në këtë stadium dhe mund të them se ishte i jashtëzakonshëm. Isha unë ai që shënova golin dhe jam i lumtur të shkojmë më një pikë në shtëpi. Ndihem i lumtur sepse shkoi mirë. Natyrisht që jam i zhgënjyer kur nuk luaj, por pas virozës gripale që kalova isha stërvitur vetëm tre ditë dhe nuk isha në kushtet e duhura fizike sa para se të sëmuresha. Shkova në shtyllën e parë sepse mendova se Kai nuk do të kishte më forcë për ta dërguar topin në qendër. Më pas u spostova më në brendësi dhe funksionoi”, u shpreh Gjasula.
Broja cilësohet “Mesi i ri” tek Çelsi
Kombëtarja ka nevojë për “gjak” të ri dhe trajneri Edoardo Reja e ka kuptuar mirë këtë, prandaj dhe ka rinovuar kontratën për katër vitet në vijim, me idenë që të ndërtojë një grup të aftë të përballojë dy palë eliminatoresh, ato të Botërorit 2022 si dhe Euro-2024. Për këtë arsye ai i ka hedhur sytë nga të rinjtë, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e tyre në skuadrat e ndryshme europiane. E ndërsa në Itali vëmendjen e ka marrë Kumbulla i Veronës, duket se në Londër, me blutë e Çelsit ka një tjetër futbollist me të ardhme, që është Armand Broja. Futbollisti është testuar me ekipin Shpresa dhe ka kaluar nga ekipet kombëtare të moshave dhe është në progres, gjë që i pëlqen Rejës dhe ambicieve të tij në periudhën në vazhdim. Armando Broja është një nga lojtarët shqiptarë më në formë të momentit. Këtë fakt po e tregon çdo javë me golat dhe asistet e tij me të rinjtë e Çelsit. Ditën e djeshme sulmuesi u aktivizua me Çelsi U-18 dhe arriti të jetë arkitekti kryesor i një fitoreje të thellë 7-0 kundër Ulverhemptonit U-18. Talenti ka arritur të japë plot tre asiste, duke dhënë një kontribut të madh në atë fitore tenistike. Gjithashtu ai në këtë ndeshje ka treguar edhe më shumë se është një futbollist me këmbë në tokë dhe i gatshëm të ndihmojë në harmoninë e skuadrës. Në minutën e 78 blutë kanë fituar një penallti, të cilën duhet ta godiste talenti ynë, duke qenë se ishte ai, që e fitoi. Por nuk ka ndodhur kështu sepse Broja ia ka dhënë sferën shokut të tij Ljuis, i cili me atë rrjetë plotësonte tregolëshin. Me grupmoshën U-18, Broja është autor i 10 golave. Ai gjithashtu grumbullohet rregullisht edhe me Çelsi U-23, ku ka arritur të dërgojë topin dy herë rrjetë, pas nëntë ndeshjeve të luajtura. Mbetet një nga futbollistët që ngjall interes në Kombëtare dhe me gjasë trajneri Edi Reja do ta testojë atë në ekipin e parë në një nga miqësoret e këtij viti.