Google search engine
Home Politike Zbardhet strategjia e PS, gati të lëshojë pushtetin vendor, por jo ekzekutivin,...

Zbardhet strategjia e PS, gati të lëshojë pushtetin vendor, por jo ekzekutivin, për qeverinë teknike diskutohet në fillim të vitit 2021

0
646

Partia Socialiste duket e vendosur për të mos lëshuar qeverinë deri në vitin 2021. Pavarësisht kërkesës së opozitës, ditën e djeshme është diskutuar për herë të parë në PS për këtë çështje. Partia Socialiste nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama mblodhi Kryesinë, mbledhje kjo që vjen 19 ditë nga mbajtja e Kongresit të PS, ku do të zgjidhen anëtarët e tij. Ndërkohë, gazeta ka mësuar disa detaje nga ajo çfarë është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë, teksa në fokus kanë qenë çështjet që kanë të bëjnë me reformat në vend, përfshirë reformën zgjedhore, axhendën partiake, por edhe situatën politike dhe riorganizimin e PS për zgjedhjet për kryetarë partie në bashki, duke qenë se ky proces nuk ka përfunduar ende.

PS e vendosur për të mos lëshuar ekzekutivin

Sipas informacioneve, mësohet se në mbledhjen e Kryesisë, kryeministri Rama dhe anëtarë të saj janë shprehur të vendosur për të mos lëshuar pe, sa i takon kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Në këtë kontekst, burime nga mbledhja theksuan se shefi i selisë rozë e ka mbrojtur tezën e tij se nuk është nevojshme çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, me faktin se qeveria është duke punuar fort dhe po përmbush çdo reformë të kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, sikundër janë ato integruese. Po ashtu, mësohet se gjatë mbledhjes së Kryesisë është vendosur që të shtrihet përtej dhjetorit të këtij vitit strategjia e Partisë Socialiste, sa i takon axhendës politike, vendimi ky që do marrë fuqi prapavepruese në Kongresin e PS që do mbahet në 29 shkurt, duke iu prerë kështu shpresat partive opozitare për të pasur zgjedhje të parakohshme këtë vit. Madje, ka qenë vetë zoti Taulant Balla, i cili i ka vënë kapak këtij debati, nëse do ketë apo jo zgjedhjet të parakohshme këtë vit. Duke folur për mediat, pas mbledhjes së Kryesisë, deputeti Balla theksoi se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen në verën e vitit tjetër. “Në agjendën politike që do miratojmë këtë vit, do të ketë një lloj ndryshimi, sepse axhenda politike nuk përmbyllet më 31.12.2020, por më 30 qershor të vitit 2021, afat brenda të cilit ne planifikojmë, që të zhvillohen dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”, deklaroi Balla.

PS gati të lëshojë pushtetin vendor

Por ndryshe nga vendosmëria për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Partia Socialiste duket se është gati për të lëshuar pushtetin vendor. Opozita joparlamentare prej disa kohësh ka nisur një fushatë denoncimesh për kryebashkiakët socialistë, ku për rrjedhojë aktualisht janë tre bashki pa kryetar. Bëhet fjalë për bashkitë e Shkodrës, Durrësit dhe Vorës, teksa dy kryetarëve të dalë nga zgjedhjet vendore aq shumë të kontestuara të 30 qershorit, iu hoq mandati, pasi ishin subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Kështu që, të ndodhur përpara kësaj situate, ku nga njëra anë opozita nuk i njeh këto zgjedhje, ndërsa nga ana tjetër edhe Këshilli i Europës ka lënë të nënkuptohet se ato zgjedhje ishin ilegjitime, socialistët mund t’i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Por të njëjtat burime nga selia rozë, theksuan se PS është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë në prill për ligjshmërinë apo jo të zgjedhjeve lokale, në mënyrë që të vendosë se kur do mbahen këto zgjedhje. Madje, sipas informacioneve, mësohet se lëshimi i pushtetit vendor nga socialistët, shihet edhe si një sfidë dhe test për ta, duke qenë se shumë kryetarë bashkish kanë zhgënjyer kupolën e partisë. Kështu që, shkuarja në zgjedhjet lokale është një test që tregon se sa mbështetje ka Partia Socialiste, duke qenë se vitin tjetër do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se sa i takon qeverisë teknike sipas stilit maqedonas, të diskutohet në fillim të vitit tjetër. Pra pak a shumë kuptohet se si PS dhe PD janë dakord që zgjedhjet të mbahen vitin që vjen, ndërkohë që zërat që qarkullojnë, thonë se mund të kemi një qeveri teknike 3 mujorshe para zgjedhjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here