Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit zhvilloi dje një seancë dëgjimore për Drejtorin e Burimeve Njerëzore në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Shtetit, Nikoll Ricën. Ky i fundit u përball dje me trupën gjykuese të përbërë nga Ana Kapaj, Marjeta Gjelaj, Ela Kerka, ndërsa kryesuesja bëri me dije se hetimi për Nikoll Ricën ka përfunduar për të tre kriteret e rivlerësimit. Gjatë relatimit, relatorja evidentoi pasuritë e deklaruara. Relatimi nisi me pasurinë apartament në Tiranë, blerë në vlerën e 1 milion e 900 mijë lekë, si burim nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në zonën e Ali Demit, si dhe kursime familjare. Drejtori i Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit, Nikoll Rica gjithashtu kishte deklaruar se ka në pronësi një garazh 95 metra katrorë blerë në vlerën e 10 mijë euro, si dhe një autoveturë blerë në vlerën e 5 mijë e 500 euro. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për pasuritë e sipërpërmendura ka kryer një hetim administrativ, dhe arriti në përfundimin se Nikoll Rica ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin. Relatorja e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit gjithashtu bëri të ditur dje se Drejtori i Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit kishte deklaruar edhe një sipërfaqe toke në periferi të Tiranës, të cilën e kishte shitur më herët. Për pasurinë në fjalë, Nikoll Rica tha dje përballë trupës së Komisionit se toka është blerë nga kunata e tij dhe se si pronë në emrin e tij e kishte pasur të regjistruar vetëm një muaj. “Shuma e parave për blerjen e tokës është paguar nga kunata dhe prej saj nuk kam përfituar asnjë të ardhur. Toka ka qenë në emrin tim vetëm një muaj dhe e kam kaluar sërish në emër të kunatës”, deklaroi Drejtori i Burimeve Njerëzore për Policinë, Nikoll Rica. Në përfundim të seancës dëgjimore, kryesuesja e trupës bëri me dije se vendimi për Nikoll Ricën do të jetë të premten e 14 shkurtit. Ndërkohë që vetingu në polici ka nisur rrugëtimin në muajt e fundit të vitit 2019, dhe përballë trupës gjykuese kanë dalë me dhjetëra zyrtarë, mes të cilëve dhe kreu i Policisë Ardi Veliu. Ky i fundit doli i pastër në të tre kriteret e rivlerësimit, dhe arriti të konfirmohet në detyrë.








































