Rreziqet që vijnë nga pirja e vazhdueshme e duhanit i dinë të gjithë. Por, edhe kur e pi rrallë një cigare i bën keq mushkërive? ‘Ta lësh fare, ose më mirë mos ta nisësh, është gjithnjë zgjedhja ideale”, -thotë eksperti italian në Institutin Shëndetësor në Filadelfia, SHBA, Antonio Giordano. “Por, nëse pihet më pak duhan, ulet rreziku për t’u prekur nga kanceri në mushkëri”.
“Kanceri në mushkëri shkaktohet nga grumbullimi i substancave kancerogjene që provokojnë një dëm gjenetik. Nëse kancerogjenët hyjnë në trup herë pas here, do të duhet më shumë kohë për të krijuar dëmin dhe për këtë arsye rreziku i kancerit do të jetë më i paktë. Një cigare në javë bën ndjeshëm më pak dëme sesa një në ditë”.
Sipas Giordano, patologjia varet nga disa faktorë, si ekspozimi nga tymi pasiv, metalet e rënda apo pluhurat e lehta të pranishme në zonat tepër të ndotura. Pa harruar rolin e brishtësisë gjenetike të pacientit. “Ka duhanpirës që vdesin 90 vjeç për arsye krejtësisht ndryshe dhe njerëz që nuk kanë pirë asnjë cigare në jetën e tyre dhe sëmuren me tumor”.











































