Mësohet se shoqërimi i Gjutës është bërë pranë selisë së PS në Tiranë, pasi është kostatuar se ai mbante me vete një armë të tipit pistoletë, gati për të qëlluar.
Gjuta ka tentuar të futet me forcë në selinë rozë, në momentin që brenda ka qenë kryeministri Edi Rama, duke zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së PS.Kjo ka bërë që Garda të ndërhyjë për ta neutralizuar Gjutën, deri në momentin kur kanë mbërritur policët dhe e kanë shoqëruar në komisariat, aty ku ndodhet akoma.
Ndërkohë, gazetarja e ‘BW’ tha se qytetarët, që kanë parë ngjarjen, kanë thënë se Gjuta ka qenë i armatosur, në momentin që ka tentuar të hyjë në selinë e PS, por sipas gazetares, ky informacion nuk është konfirmuar ende nga policia, e cila pritet të reagojë zyrtarisht për ngjarjen. Vladimir Gjuta është një emër shumë i njohur ky për drejtësinë, për shkak të precedentëve penalë.
Por kush është Vladimir Gjuta? Ngjarja dhe akuzat
Pak ditë pasi Policia e Tiranës e vuri në pranga sërish Vladimir Gjutën, më datë 5 shkurt, gjykata e liron një prej të akuzuarve për vendosjen e një sasie eksplozivi në farmacinë e të atit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzohej së fundmi se kishte dhunuar kushëririn e tij me çekiç.
Mësohet se kushëriri që ishte dhunuar nga Gjuta, u tërhoq nga ankimi dhe prokuroria kërkoi revokimin e masës, ndërsa gjykata vendosi që ta lërë të lirë.
Sipas burimeve ditën e ngjarjes, kushëriri i Gjutës kishte pësuar thyerje dhëmbësh dhe një sy e kishte të dëmtuar. Burime për “Panorama”, të cilat kanë konfirmuar ngjarjen dhe arrestimin, thanë se dhunimi ka ndodhur te Rruga e Elbasanit në Tiranë, në shtëpinë e Vladimir Gjutës, ku kishte thërritur kushëririn.
Kujtojmë se Gjuta u arrestua në vitin 2015 në Tunelin e Kalimashit me paruke në kokë, teksa tentonte të arratisej jashtë vendit. Ai, së bashku me Ernest Gjutën dhe Baftjar Brukën, ishin arrestuar për ngjarjen e ndodhur në farmacinë e babait të ish-ministrit Tahiri.
GARDIANËT
Por ndërkohë që është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës dhe është vendosur në paraburgimin 313, Gjuta ka dhunuar edhe persona që punojnë në burg. Për këtë shkak, është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që i ka kërkuar Prokurorisë të kërkojë masën e mjekimit të detyrueshëm për Gjutën, pasi nuk përballohet nga stafi.
DHUNIMI I BABAIT
Në vitin 2016, 36-vjeçari nga Kukësi është arrestuar sërish sepse ka dhunuar babanë e tij të moshuar dhe bashkëshorten. Nga ana tjetër, veç dhunës në familje, ai akuzohej në atë kohë edhe për shkeljen e vendimit të Gjykatës së Kukësit, që kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest shtëpie”. 36-vjeçari ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht babanë e tij 78 vjeç, ndërsa pre e dhunës u tha se ishte edhe bashkëshortja e tij. Ka qenë vetë babai i Gjutës, që ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke telefonuar në sallën operative. Më pas, shërbimet e Komisariatit nr.5 kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke kryer arrestimin në Vladimir Gjutës.