Gjykata ka dhënë masën arrest me burg për katër të arrestuarit e shkëmbimit me armë zjarri në pedonalen e Shkodrës mbrëmjen e datës 5 shkurt, ku u plagos me armë zjarri kalimtarja Liljana Jerevija.
Masa arrest me burg është dhënë për të arrestuarit ne flagrancë Liridon Lushi, 27 vjeç banues në Shkup, Maqedoni, Arxhend Rexha, 31 vjeç banues në Durrës, Ension Buraku, 28 vjeç banues në Durrës , dhe për Riad Xheladini, 22 vjeç banues në lagjen Tepe, në Shkodër.
Enison Buraku ka qenë i vetmi nga të arrestuarit që ka dëshmuar lidhur me ngjarjen. Ai e ka pranuar që ka shkuar të takohet me shënjestrën Mirsad Meta pasi dyshonte që ai i kishte vënë tritolin në makinën e motrës, efektives Ornela Buraku. Siç ka treguar avokati ka qenë Mirsad Meta ai që ka qëlluar i pari dhe nuk ka pritur fare që të sqarohet.
Konflikti sipas avokatit nuk ka ardhur për pazare droge por që nga koha kur kanë qenë në Gjermani.
“Ension Buraku është nisur për një sqarim dhe kjo vërtetohet nga kamerat e sigurisë, por edhe për faktin se ka tentuar që ta takoje në pedonalën e Shkodrës. Kanë patur marrëdhënie të mira familjare dhe nuk ka patur asnjë qëllim qe t’i bënte atentat, por vetëm të sqarohej.
Për arsye të konflikteve dhe një lloj pasigurie ka patur armë me vete. Të tjerët kanë deklaruar që nuk kanë patur dijeni dhe se ka qenë Mirsad Meta ai që ka qëlluar i pari dhe nuk ka pritur fare që të sqarohet. Kjo nuk lidhet me pazare droge.
Ension Buraku ka dyshime te forta se tritoli motrës së tij ia ka vendosur Mirsad Meta, por kjo nuk është e vërtetuar. Konfliktet e tyre kane ardhur gradualisht që nga koha kur kanë qenë në Gjermani dhe nga hatërmbetje të vogla janë shtuar në 3-4 vite pastaj”, ka deklaruar avokati.
Ension Buraku, Argjend Rexha, Riad Xheladini dhe Liridon Lusha janë të arrestuar pasi dyshohet kishin përgatitur ekzekutimin e Mirsad Metës.
Sipas dyshimeve të policisë motivi i kësaj tentative vrasje ka qenë prishja e pazareve të drogës në Gjermani, por situata është ndezur më shumë kur Meta i ka vendosur tritol motrës së Ensionit, efektives së policisë Ornela Buraku, e cila për fat të mirë ka patur vetëm dëme materiale.
Më herët Ension Buraku është shprehur se në 5 shkurt ishte nisur për një kafe në Shkodër, ndërsa shokët e tij nuk dinin asgjë për planin e tij.








































