Artur Metani, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë ka zhvilluar sot konferencën e parë për mediat që prej marrjes së detyrës. Kryetari i ILD iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve për gjendjen e drejtësisë. Metani sqaroi se prioriteti i ILD është lirimi i të dënuarve para kohe, referuar këtu rastit më të fundit, atij të Indrit Dokles.
“Drejtësia e bardhë ose e zezë është vlerësim politik. Unë kam detyrë të monitoroj çdo vendim gjykate apo prokurore, për detyrën që më ka ngarkuar Kuvendi. Me aq pak sa kam parë ankesat janë të gjithëllojshme. Prioriteti im kryesor është fenomeni i të liruarve para kohe me kusht. Dua të shmang emra konkretë. Rëndësi ka fenomeni, inspektorët do të bëjnë verifikime, dhe çfarë del nga fenomeni do bëhet publike kur të jetë gati.”-tha Metani.
Metani tha se ILD do të nisë punën, dhe se gjithashtu ka nisur edhe shqyrtimi i ankesave. “Kanë ardhur ankesat e para që prej 1 shkurtit. ILD është një institucion i pavarur dhe i ri. Kemi ngritur në ILD një strukturë provizore, ndërsa vendet vakante do të prezantohen në faqen e ILD.”-tha Metani.
Në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme, kreu i ILD-së, Artur Metani u ka kthyer përgjigjet edhe akuzave për “kapjen e drejtësisë” nga qeveria, duke qenë se është vëllai i deputetes Englantina Gjermeni. Pyetjes së gazetarëve, Metani iu përgjigj duke thënë se koha do të tregojë gjithçka.
“Unë vlerësoj që koha është tregues për gjithçka dhe gjyqtari më i mirë për të gjithë”, tha Metani.
Kreu i ILD nuk pranoi të komentonte paketën ‘Anti-KCK’ që ka në fokus edhe gjyqtarët e prokurorët. “Akti normativ kundër ‘KCK’, që është për pasurinë s’ka lidhje me mua dhe punën time.”-tha Metani.







































