Google search engine
Home Aktualitet Ekspozita “World Press Photo”, në Muzeun Historik Kombëtar

Ekspozita “World Press Photo”, në Muzeun Historik Kombëtar

0
338

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar mes të pranishmëve të shumtë dhe personaliteteve të ndryshëm u çel ekspozita “World Press Photo”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2020. “World Press Photo Foundation” ka një traditë të konsoliduar disa vjeçare në këtë format, duke filluar nga viti 1955 më 3 dhjetor në Hollandë, duke u bërë promotor dhe duke lidhur botën me ngjarjet më të rëndësishme përmes imazhit fotografik. Që nga themelimi i tij, “World Press Photo Foundation” ka synuar të stimulojë zhvillimet e fotoreportazhit, të inkurajojë transferimin e njohurive, të ndihmojë në zhvillimin e standardeve të gazetarisë vizive dhe të promovojë një shkëmbim të lirë dhe të pakufizuar të informacionit. Fjalën hapëse të këtij aktiviteti e mbajti ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, znj. Guusje Korthals Altes, ku theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite në përçimin e vlerave demokratike, të fjalës së lirë, në rritjen e imazhit të gazetarit si në aspektin profesional por dhe në rolin që ai mbart në shoqëri. Të nominuarit e “World Press Photo Contest 2019” janë 43 fotografe nga 25 vende: Australia, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Republika Çeke, Egjipti, Franca, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Meksika, Hollanda, Norvegjia, Filipinet, Portugalia, Rusia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Siria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela. Nga këta të nominuar 14 fotografe janë gra, 32 për qind, që do të thotë një rritje e konsiderueshme nga viti 2018 ku ishin vetëm 12 për qind. Ndërkaq që prej ditës së enjte, ku u dha dhe njoftimi i rihapjes së Muzeut Historik Kombëtar, vizitorë të ndryshëm vendas dhe të huaj kanë vijuar për të vizituar pavionet. Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i rëndësishëm në Shqipëri, i cili përmban të gjithë historinë shqiptare të mirë dokumentuar. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here