Aksidenti tragjik/ Humbin jetën teksa ktheheshin nga puna si çdo ditë. Mësuesit lanë pas 5 fëmijë të mitur, dyshimet e policisë për aksidentin (Detajet)
Mësuesit, banues të qytetit Memaliaj, përshkonin këtë rrugë përditë prej disa vitesh pune si mësues. Drejtuesi i mjetit, mësuesi 43 vjeçar i frëngjishtes ishte, baba i tre fëmijëve të mitur. Kurse mësuesja 36-vjeçare ishte nënë e dy fëmijëve të vegjël.
Paraprakisht po hetohen dy shkaqe për aksidentin njëra mund të ketë qenë shpejtësia dhe tjetra ndonjë problem teknik i mjetit.

Gjithashtu, burimet nga uniformat blu dyshojnë se ky aksident me pasoja të rënda mund të ketë ndodhur edhe për arsye shëndetësore që mund të ketë pësuar drejtuesi i mjetit, raporton Panorama.

KSSH: TË HETOHEN TENDERËT PËR TRANSPORTIN
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i shprehu ngushëllimet familjeve të dy arsimtarëve që ndërruan jetë në një aksident rrugor ditën e djeshme në aksin rrugor Memaliaj-Krahës dhe ngriti edhe njëherë shqetësimin për transportin e mësuesve dhe nxënësve, teksa hodhi akuza se tenderët vidhen nga organet ligjzbatuese.
Në një reagim pas ngjarjes së rëndë, KSSH i kërkon Prokurorisë të hetojë kontratat kolektive dhe të nisë një hetim për tenderët fiktivë për transportin e nxënësve dhe arsimtarëve.
“Zyra Arsimore Tepelenë duhet të mundësojë transportin e mësuesve dhe nxënësve me furgon ose autobus, por kjo çështje është lënë prej vitesh në harresë. E njëjta problematikë është në 60 bashki të vendit, ku tenderët për transportin janë ndër aferat kurruptive kryesore të zyrave arsimore dhe institucionet heshtin përballë këtij abuzimi që sot mori 2 jetë njerëzish. Shumë mësues janë të detyruar të japin mësim në zona të thella malore larg shtëpive dhe Zyrat Arsimore i detyrojnë të shkojnë me makinat private. Fondet e parashikuara për transportin e mësuesve vidhen sistematikisht dhe hetimet e nisura nga MAS nuk finalizohen asnjëherë as nga organet ligjzbatuese”, thotë në një reagim Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Kjo konfederatë, përmend edhe aksidentin e 19 dhjetorit 2019 në Arrëz të Korçës ku mësuesja Luiza Dule, 48 vjeçe, humbi jetën në një aksident rrugor dhe të plagosur mbetën edhe 6 mësues të tjerë.





































