Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për ndërprerjen e procesit të vetingut për gjyqtarin e Apelit të Korçës, Stavri Kallço. Ky i fundit dha dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në dhjetor të 2019, me argumentin “për arsye shëndetësore”. Por vendimi i publikuar nga KPK tregon ndryshe, duke dyshuar se shkak për dorëheqjen ka qenë në të vërtetë frika për tu përballur me vetingun. Duke treguar kronologjinë e procesit, shihet se gjyqtari është larguar pasi është njohur me aktet e komisionit. “Subjekti i rivlerësimit u njoftua me përbërjen e trupit gjykues, të shortuar në datën 15.3.2019 dhe iu kërkua të deklaronte nëse ishte në kushtet e konfliktit të interesit me anëtarët e trupit gjykues. Në përgjigje të e-mail-it, të dërguar sipas pikës 6 më lart, subjekti i rivlerësimit me anë të postës elektronike deklaron se nuk ka konflikt interesi me anëtarët e trupit gjykues. Pasi relatori i çështjes kreu një hetim të plotë dhe të gjithanshëm sipas parashikimeve të ligjit nr. 84/2016, paraqiti para trupit gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar, z. Hans Kijlstra, rezultatet e hetimit dhe rekomandoi mbylljen e hetimit kryesisht për subjektin e rivlerësimit, z. Stavri Kallço”, shkruhet në vendim. Ndërsa më pas, gjyqtari është njoftuar se hetimi për të ka përfunduar. “Me anë të postës elektronike subjekti i rivlerësimit u njoftua mbi mbylljen e hetimit kryesisht dhe kalimin e barrës së provës për kriterin e pasurisë. Subjektit iu bënë me dije të drejtat që gëzon sipas ligjit për: njohjen me dokumentet e dosjes dhe marrjen kopje të tyre menjëherë pas marrjes së njoftimit; të drejtën për të thirrur dëshmitar apo marrjen e çdo prove mbështetëse; të drejtën për të paraqitur shpjegime apo prova me shkrim në lidhje me rezultatet e hetimit, jo më vonë se data 3 janar 2020. Bashkëlidhur këtij e-mail-i, subjektit të rivlerësimit iu dërguan rezultatet e hetimit kryesisht”, thuhet në vendim, ndërsa pas kësaj faze të procedurës, gjyqtari kërkon nga Komisioni të ndërpresë procesin e vetingut. “Në datë 31.12.2019, subjekti i rivlerësimit, me anë të postës elektronike, kërkoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar, për arsye shëndetësore”, shkruhet në vendim, dhe në javën e dytë të janarit, KLGJ miratoi dorëheqjen e tij.










































