Google search engine
Home Aktualitet Zbardhet atentati ku u plagos kalimtarja në Shkodër, pranga tre të rinjve,...

Zbardhet atentati ku u plagos kalimtarja në Shkodër, pranga tre të rinjve, në kërkim objektivi i sulmit

0
339

Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar, ku u plagos me armë zjarri një 35-vjeçare. Policia sqaron se ka pasur shkëmbim zjarri mes dy grupeve në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër, ku për pasojë e plagosur nga plumbat ka mbetur një kalimtare. Për ngjarjen janë arrestuar tre të rinj, njëri prej tyre banues në Shkup të Maqedonisë, ndërsa dy tjerët nga Durrësi dhe Shkodra, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Mirsad Meta ku dhe ky i fundit iu është përgjigjur po me plumba. Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga strukturat e Policisë Shkodër, të cilat në bashkëpunim me kolegët e tyre të Tiranës dhe Durrësit, finalizuan me sukses operacionin policor “Reagimi”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ardian Rexha 31 vjeç, banues në Durrës, Ension Buraku 28 vjeç, banues në Durrës dhe Riad Xheladini, 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni. Gjithashtu është shpallur në kërkim Mirsad Metaj, 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër. Nga hetimet e kryera në kohë rekord nga grupi hetimor, rezultoi se shtetasit Ardian Rexha, Ension Buraku dhe Riad Xheladini kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e datës 05.02.2020, rreth orës 22:40, në lagjen “Vasil Shanto”, në drejtim të shtetasit Mirsad Metaj, i cili iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shtetasja Liljana Jeremia (kalimtare). Po nga hetimet dyshohet se këta shtetas kishin konflikte të hershme me njëri -tjetrin. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një automjet që i përket shtetasit Mirsad Meta. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja ne rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Hetimet

Kamerat e sigurisë ndihmuan policinë për të zbuluar autorët e përfshirë në përplasjen me armë mbrëmjen e djeshme në pedonalen “Kol Idromeno” në qytetin e Shkodrës ku mbeti e plagosur dhe një kalimtare. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja si provë materiale. Sipas burimeve të Policisë së Shkodrës ngjarja e mbrëmjes të së mërkurës dyshohet se ka lidhje dhe me eksplozivin që iu vendos në makinë efektives së policisë në Durrës, Ornela Buraku, më 27 janar 2020. Dyshohet se ajo është motra e Ension Burakui, i arrestuar, i cili e lidh këtë sulm ndaj motrës së tij me 26-vjeçarin. Policia po heton dhe pista të tjera, por është treguar e rezervuar pasi 26-vjeçari vijon të jetë në kërkim. Sipas burimeve nga grupi hetimor tritoli i vendosur në Durrës dy javë më parë, nuk ka qenë për efektiven e policisë, por pikërisht për vëllanë e saj, Ension Buraku. Të rinjtë e përfshirë në përplasjen me armë mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, kanë njohje me njëri-tjetrin, pasi dyshohet të kenë qenë disa muaj më parë në Gjermani, ku ka dyshime të forta se mund të jenë përfshirë në trafik të drogës dhe të jenë konfliktuar pas prishjes së pazareve.

Ngjarja

Njëri nga grupet e të rinjve kanë qenë të ulur tek stolat e pedonales “Kolë Idromeno”, dhe sapo janë parë me Mirsad Metën kanë filluar të qëllojnë në drejtim të tij. Edhe ky i fundit u është kundërpërgjigjur duke e kthyer pedonalen në një arenë lufte. Plumbat kanë kapur edhe makinën luksoze me targa gjermane të Mirsad Metës, të cilën ky i fundit e ka braktisur duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes. Por nga breshëria e plumbave që të rinjtë kanë qëlluar nuk është plagosur asnjëri prej tyre, megjithatë një “plumb qorr” ka kapur një 35-vjeçare, e cila po kalonte rastësisht aty së bashku me motrën dhe dy kunetërit e saj. Këta të fundit kanë qenë duke konsumuar një kafe në lokalet e pedonales pasi kishin dalë nga spitali për të marrë disa ilaçe, por rastësisht janë gjendur mes dy “zjarreve”. Plumbi e ka kapur në këmbë 35-vjeçaren, ndërsa njëri nga kunetërit e saj ka shpëtuar mrekullisht pasi plumbi i ka përshkruar pantallonat, por pa e kapur në trup.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here