Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kalon me sukses vettingun.
Në të tre komponentët, Veliu rezultoi i pastër.
Për sa i përket pasurisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë rezulton se ka porositur një apartament në Tiranë, në vitin 2017, me vlerë 79 mijë euro. Apartamenti është në ndërtim, ndërsa për blerjen e tij, ai ka marrë 5 milionë lekë kredi, të cilën vijon ta shlyejë. Ndërkohë, aktualisht Ardi Veliu jeton në shtëpi me qira dhe nuk rezulton të ketë pasuri të tjera të paluajtshme. KJV ka zbuluar nga hetimi se ai ka një llogari bankare prej 750 mijë lekësh nga të ardhurat, ka llogari page 190 mijë lekë, si dhe 5 mijë euro të përfituara nga shitja e një makine. Ndërsa tashmë ai nuk ka makinë në pronësi të tij. Sa u përket të ardhurave të bashkëshortes së Veliut, ajo ka 800 mijë lekë nga paga dhe një depozitë 2 milionë e 400 mijë lekë të dhuruara nga prindërit pas shitjes së një apartamenti në Vlorë. Në këtë mënyrë, KJV ka arritur në përfundimin se Ardi Veliu ka deklaruar saktë pasurinë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesash.









































