Realizimi i një produksioni në kinema është i vështirë. Me problemet, që vijnë nga buxhetet e pakta përballen jo vetëm kineastë të njohur, por dhe të rinjtë e Universitetit të Arteve. Pak ditë më parë u zhvillua një takim konsultues midis Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Universitetit të Arteve. Njëri prej shqetësimeve kryesore të shprehura nga ana e pedagogëve dhe QKK, ishte priorizimi i të talentuarve dhe përkrahja e tyre, me qëllim rritjen e nivelit të kinematografisë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkoi që të ekzistojë një fond financimi për prezantimin e produksioneve të studentëve të vitit të 3-të Bachelor dhe të studentëve në ciklin e 2-të Master, të Universitetit të Arteve, të fushës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit. Pedagogë të arteve shprehen se nëse ky fond do të krijohet sjell lehtësira për të rinjtë në fushën e filmit. Pedagogu i regjisë së filmit Elis Mataj shprehet se ky ishte takimi i parë, pasi në vijim do të ketë të tjerë për këtë problem. “Ka qenë dikur një fond, por se di pse u ndërpre. Normalisht që është po e njëjta situatë, që studentët e diplomës të kenë mundësi, të jetë një fond nga QKK që ta zhvillojnë detyrën e tyre të fundit si regjisorë të mirëfilltë, jo si gjithçka bërës. Kjo ishte interesi kryesor, më pas shkolla verore, etj, që studentët të jenë të plotësuar me elementet praktike, që ne nuk mundemi dot tua plotësojmë me fondet që kemi. Ishte takimi i parë, do të kemi një takim të dytë deri sa të firmoset. Kërkesa jonë për QKK ishte që të kemi mundësinë për fondin, por gjithmonë te cilësia më e lartë, te skenarët më të mirë, sepse nuk mund të futen këtu ata që nuk janë të aftë, por duhet të bëhet një lloj përzgjedhje”, pohon Mataj. Sipas tij sot të bësh një film dihet, që është e vështirë, dhe dikur të rinjtë ndihmoheshin falë një mirëkuptim mes producentëve, pedagogëve dhe QKK. “Filmi është produksion shumë i shtrenjtë dhe është e vështirë, që ne t’ia plotësojmë gjithë kushtet studentëve, por gjithmonë mundohemi që puna të shkojë mirë. Fondi nuk është se ka qenë një kontratë me parë, kjo është bërë me mirëkuptim, mes producentëve, pedagogëve dhe kush ka qenë drejtor ato vite në QKK. Nuk ka qenë diçka e firmosur me sa jam në dijeni, por deri sa ne kemi pasur një rezultat të mirë nga ajo, kërkuam të ishte po e njëjta situatë”, shprehet pedagogu Elis Mataj.
Buxhet nga fondi i QKK
Shef i departamenti i regjisë së teatrit dhe filmi në Fakultetin e Artit Skenik, regjisori Milto Kutali shprehet se kryesore dhe me rëndësi është që QKK me suportin e saj të ndihmojë të rinjtë e arteve për filmat e tyre. “Nga gjërat më të rëndësishme, që u vendos është gjetja e modaliteteve që QKK të përkrahë studentët e talentuar, për ti ndihmuar të realizojnë punët e tyre me sportin e QKK. Ky buxhet të jetë nga fondi i QKK, do të specifikohet një mbështetje për punët e studentëve. Ka qenë dikur një praktikë e zhvilluar disa vite më parë, që ka rezultuar e suksesshme dhe pikërisht në këtë lloj eksperience do të vijohet edhe në këtë rast”, thotë regjisori Kutali. Ky takim pak ditë më parë u realizua në kuadër të Paktit me Universitetin. U sugjerua që ky fond i dedikuar për produksionet filmike dhe studimet, të integrohet brenda strukturës juridike të QKK. Mënyra e përzgjedhjes së punimit më të mirë të prezantuar u mendua të realizohet nëpërmjet një ose më shumë producentëve, ku QKK të mund të realizojë një akt-marrëveshje për financim nëpërmjet një producenti. Kësisoj producenti të jetë oponenti i parë i veprës artistike, ku ai së bashku me pedagogun udhëheqës të vendosin mbi punimin më cilësor i cili duhet të financohet, nëpërmjet një vlerësimi transparent. Sigurisht moment thelbësor mbetet ekzistenca e sistemit të meritokracisë, ku talenti të jetë sistem konkurrence.








































