Google search engine
Home Politike Fatmir Xhafaj del nga rreshti dhe sulmon ndryshimet ligjore: Paketa anti-KÇK nuk...

Fatmir Xhafaj del nga rreshti dhe sulmon ndryshimet ligjore: Paketa anti-KÇK nuk duhet të jetë kamxhik në duart e qeverisë

0
289

Nisma e mazhorancës për shmangien e ngërçit të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të asaj të Lartë, si dhe për të realizuar një procedim të shpejtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve në KLP dhe në KLGJ nuk ka gjetur dakordësinë e të gjithë deputetëve të Partisë Socialiste. Teksa ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, ku u miratuan dy projektligjet, përkatësisht ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe ai “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u shfaq kritik, jo ndaj nismës në vetvete, por për mënyrën sesi ajo është trajtuar politikisht. Edhe pse nuk e tha me emër, Xhafaj shigjetoi në distancë kryeministrin Rama, kur në fillim të nëntorit shpalli luftën kundër KÇK-së në drejtësi. Sipas tij, kamxhikun për të goditur dhe hetuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta kenë organet e reja të drejtësisë dhe jo qeveria. “Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është ngritur dhe këto propozimet tona kanë rënë. Kemi që në nëntor dhe e kemi zvarritur. Pse qeveria bëri amendamentin në dhjetor dhe ne po e shqyrtojmë tani? Sjelljen e 50 gjyqtarëve të korruptuar nuk duhet t’ia veshim sistemit të djeshëm apo të sotëm. Pse qeveria nuk e bëri vetë këtë nismë? Qëllimi nuk është efektiv. Qasja jonë nuk është vetëm politike, por edhe Kushtetuese. Kemi organet e reja të sistemit. Nuk mund të flasim si dje. Sot kemi KLGJ, KLP dhe ILD. Jam i keqardhur që me këtë debat të fortë publik të udhëhequr nga kryeministri, KLGJ e KLP flasin më pak, ata duhet të ishin institucionet të cilat duhet të dëgjoheshin më fort”, deklaroi ai. Ndërkohë, deputeti Xhafaj kritikoi ashpër Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, që nuk kanë vepruar ndaj magjistratëve qe shkelin ligjin edhe pse ato janë sot qeveria e sistemit. “Nëse sot kemi një rast ekstrem në sjelljen e një prokurori apo të një gjyqtari si rasti i gjyqtares se Krujës, nuk arrij dot ta mendoj se si nuk ka një qëndrim publik të këtyre dy institucioneve. I kanë pasur dhe i kanë të gjitha mundësitë”, nënvizoi ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here