Shuhet në moshën 86-vjeçare ikona e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Këngëtarja e njohur vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë ndërsa sot ka ndërruar jetë.
Sopranoja Inva Mula shprehet se ajo do të futet tek legjendat e artistëve shqiptarë.
Ajo rrëfen një nga momentet më të bukura me të kur do të organizonte një koncert për nder të 80- vjetorit të të atit. Inva Mula kërkoi që dhe Nexhmije Pagarusha si mike e të atit të saj të vinte por i thanë që ishte shumë e sëmurë.
Mula shprehet për News24 se shkoi vetë në Prishtinë për t’ia kërkuar dhe pavarësisht se ishte në gjendje të rëndë prej sëmundjes së saj u ngrit dhe erdhi në Tiranë për të performuar. Sopranoja shqiptare shprehet se ai ishte një nga momentet më të bukura të jetës së saj dhe ja ofroi pikërisht Nexhmije Pagarusha.
Inva Mula thotë gjithashtu se lajmin e ka marrë vesh nga mediat dhe e konsideron këngëtaren kosovare si një artiste që bëri histori në kohë të vështira.
Pagarusha do mbetet në mendjen e shqiptarëve si ‘bilbili’ i muzikës shqipe.









































