Numri dy i PS, Taulant Balla gjatë një prononcimi për mediat paralajmëroi ‘live’ gjyqtarin Lazer Sallaku, duke e cilësuar anëtar të “KÇK”, se nuk mund të mbyllë dosjen e OSSH, pasi do ta ndjekë vetë personalisht.
Duke folur për operacionin “Forca e Ligjit”, që po sekuestron pasuritë e personave të njohur të botës së krimit, Balla u ndal dhe te dosja e OSSH, të cilën e cilësoi si një ndër dosjet më korruptive në Shqipëri, për të cilën, sipas tij, gjyqtari Sallaku po tenton ta mbyllë.
“Ju them që Lulzim Berisha, apo të tjerë, ligji i miratuar, i përfshin si presona apo grupe kriminale, pasuria e të cilëve duhet hetuar. Procesi i hetimit është kompleks, 48 orë janë të mjaftueshme për këta persona, të cilët të plotësojnë formularin dhe më pas policia ka një kohë 15 ditore për të bërë verifikimet dhe më pas është pjesa që lidhet me SPAK, që ka 15 ditë për të shkuar në gjykatë dhe për të konfirmuar, në rast nevoje, sekuestrimi të pasurive, apo hapa të tjerë. Mos kini merak, unë kam besim te SPAK. Unë jam besimplotë që historia që në këtë vend dosjet hapeshin e mbylleshin nga prokurorë e gjyqtarë të korruptuar ka mbaruar.
I them Lazer Sallakut të heq dorë nga historia e vonesës së zbardhjes së vendimit për dosjen OSSH. Sot ka mbaruar afati që ky gjyqtar duhet të kishte shpallur vendimin, një vendim absurd. Ja them publikisht, këtij anëtari të KCK në gjyqësor, se dosja OSSH, si dhe dosje të tjera korruptive, nuk mund të mbyllen me vendime të turpshme të këtyre gjyqtarëve. Ne, unë personalisht do ta ndjek, sepse nëse ka një dosje në Shqipëri të qartë dhe e zbardhur tërësisht se si familjarë të kryeministrit të asaj kohe merrnin kontakte me lobistë, sekserë, për privatizime të sektorëve strategjikë, dhe që ne kemi dokumentuar gjithë skemën korruptive, të jeni të sigurt se këto çështje nuk do të mbyllen”, tha Balla.
Pse paketa “Anti-KÇK” nuk godet gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar?
Ligji dhe paketa, anti normativ, përmban disa ligje dhe akte të tjera. Akti normativ do gjurmojë, identifikojë dhe sekuestrojë pasuri të krijuara nga bota kriminale, për shkak të veprimtarive kriminale. Ajo që i referoheni ju ka të bëjë me diçka tjetër. Më 12 në seancë plenare do të diskutohet një propozim për të ndryshuar në ligjin përkatës, se si dhënia e mundësisë ILD të pezullojë një gjyqtar apo prokuror, kur bëhet fjalë për korrupsion.
Më 25 nëntor, Rama prezantoi të gjithë paketën “Anti-KÇK’ dhe iu risiguroj se kjo shumicë parlamentare do iu shkojë një për një gjithë këtij angazhimi. Ky angazhim do vijojë përgjatë çdo dite të këtij viti, por edhe gjatë vitit 2021. Në qershor të vitit 2021, qytetarët do na japin mundësinë të thellojmë këto reforma në mandatin tonë të tretë qeverisës.
Folët për sekuestrim parash në vijim, për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Mund të jenë në vila, makina dhe llogari bankare. Inkurajojmë “Forcën e Ligjit” të shkojë e të futet në çdo vrimë miu, ku fshihen kriminelët.
Keni menduar për një paketë tjetër që do të frenonte kandidimin e personave me të shkuar kriminale?
Është lajm i mirë që ligji i dekriminalizimit funksionon. Koha e verifikimit të kandidaturave potenciale të zgjerohet, pra KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme të kenë minimalisht tre muaj kohë për verifikim, dhe jo 45 ditë sa është tani. Ne do rrisim filtrat për t’ua parandaluar mos deklarimin në kohë të çdo lloj problematike.









































