Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu doli sot para Komisionit të Vettingut.
Pranë komisionit Veliu është përballur me dy denoncime, një nga një qytetar dhe tjetri nga kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së shtetit, dhe kanë pasur të njëjtin qëllim.
Sipas tyre Veliu gjatë kryerjes së detyrës s’ka mbajtur qëndrim korrekt për punonjësit e policisë së shtetit. “Ai ka emëruar në kundërshtim me ligjin. Ka shkelur marrëveshjet me sindikatën”, ka thënë drejtuesi i sindikatës.
Këto denoncime u hodhën poshtë nga drejtori i policisë së shtetit, i cili nga ana tjetër ka thënë se do të respektojë çdo lloj vendimmarrje që do të merret nga komisioni. Vendimi për të do të jepet ditën e nesërme.
Po çfarë deklaroi para komisionit Ardi Veliu?
Ai rezulton se jeton në një shtëpi me qera pasi apartamenti i tij është në ndërtim e sipër. Veliu ka deklaruar se ka marrë 5 milionë lekë të reja kredi për apartamentin në ndërtim, me vlerë 79 mijë euro.
Sakaq Drejtori i Policisë së Shtetit ka deklaruar një llogari bankare me vlerë 750 mijë lekë të ardhura, si dhe një llogari 5 mijë euro nga shitja e një makine, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar llogari me 2.4 mln lekë të ardhura nga prindërit.
Kujtojmë se verifikimi për të do të bëhet në të tria shtyllat e këtij procesi; pastërtia e figurës, aftësitë profesionale, dhe deklarimi pasuror.








































