Google search engine
Home Aktualitet “Zyrtarisht beqare”, një vepër plot situata komike për publikun në teatër

“Zyrtarisht beqare”, një vepër plot situata komike për publikun në teatër

0
292

Komedia “Zyrtarisht beqare” e autorit Alil Vardar, me regji nga Armand Bora për tre mbrëmje do të jetë në skenën e qytetit të Durrësit. Teatri “Skampa” i Elbasanit shkon në Durrës, me një nga produksionet e tij të suksesshme në skenë, një vepër që është mirëpritur nga publiku. Mbrëmjet e datave 7, 8 dhe 9 shkurt komedia do të jetë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, me aktorët Gentian Zenelaj, Egla Ceno, Ilirda Bejleri dhe Evis Serani. Drejtori i qendrës së artit njëkohësisht dhe i teatrit “Skampa” Kliton Kapaj shprehet, se me skenën e Durrësit komedia “Zyrtarisht beqare” e Alil Vardar ka nisur turin, në qytete të ndryshme. “Pas qytetit të Durrësit vepra do të jenë edhe në qytetin e Tiranës. Ne po vazhdojmë turin teatror, por komedia edhe në skenën e Elbasanit u mirëprit”, pohon drejtori i teatrit Kapaj. Duke folur për komedinë, drejtori i teatrit të Elbasanit shprehet më tej, se kjo është një vepër që përmes problematikave që trajton shumëkush e gjen veten. “Kjo është një vepër, që është aktuale, e shkruar në kohët tona. Një vepër, që të gjithë gjejmë ndopak veten. Një vepër, që ka një tematikë dhe problematikë të caktuar të jetës shoqërore, që i përket jetës femërore për të gjetur një partner, apo për të zgjidhur jetën bashkëshortore. Një komedi, nga fillimi deri në fund me situata komike, që i kanë tre femra që bashkëjetojnë në një shtëpi dhe ndajnë qeranë me njëra -tjetrën”, pohon Kapaj. Sipas tij, ndërsa ka nisur turi me këtë shfaqje në skena të ndryshme që bën bashkë aktorë të njohur nga Tirana dhe teatri i Elbasanit, puna ka nisur për një vepër të tjerë në “Skampa”. “Kjo është shfaqje për të rritur, por ne kemi filluar punën dhe për një vepër të re teatrore. Aktualisht ne kemi filluar punën dhe për një komedi të re, që do të jetë në teatrin “Skampa” në Elbasan. Kjo shfaqje është për herë të parë në qytetin e Durrësit për publikun, dhe është mirëpritur shumë vepra në “Skampa”. Për 11 net me radhë salla e teatrit “Skampa” në Elbasan ka qenë me publik plot”, shprehet më tej drejtori Kliton Kapaj.

Mesazhet e veprës

Komedia “Zyrtarisht beqare” vepër e autorit të njohur Alil Vardar, me regji nga Armand Bora, përmes humorit e satirës prek tematika të jetës së përditshme. Regjisori Armand Bora rolet në vepër ia ka besuar aktorëve Gentian Zenelaj, Egla Cenos, Ilirda Bejlerit dhe Evis Seranit, jo vetëm për të argëtuar publikun, por për ti përcjellë edhe mesazhe. Regjisori i njohur Armand Bora më herët ka treguar se kjo vepër është një nga komeditë më të suksesshme të autorit Alil Vardar. “Autori i veprës është një shqiptaro-maqedonas, që jeton në Paris dhe drejton dhe disa salla teatri atje. Një autor, që është vënë në skena të ndryshme me veprën e tij dhe ka një shikueshmëri me 2 milionë shikues”, pohon regjisori. Sipas regjisorit, kjo vepër përcjell mesazh të aspektit social për shoqërinë. “Mesazhi është shumë social, sepse Shqipëria çdo ditë dhe më shumë po integrohet në problematikat e Europës dhe jo në ato që janë vlera. Problematika janë prishja e familjes, shtimi i rastit të divorcit dhe padyshim që ato pasqyrojnë dhe problemet dhe jetën e njerëzve që ndahen”, thotë regjisori Bora. Në komedinë “Zyrtarisht beqare” shkruar nga Alil Vardar është historia e tre grave beqare. Njëra vjen nga provinca, një vajzë e re amerikane por që e ka marrë lehtë dhe është në fillimet e jetës së saj. Është dhe personazhi që është pronare e shtëpisë, por e ka lëshuar shtëpinë me qera me dy të tjerat, e cila i përket një shtrese aristokrate. Ngjarjet zhvillohen në një apartament në Paris, por regjisori Armand Bora tregon se një tjetër e veçantë është skenografia. Skenograf në vepër është Sokol Sejdini dhe kostumografe Sofi Kara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here