Google search engine
Home Aktualitet Shtyhet seanca paraprake ndaj “Avdylajve”, ja si bashkëpunonin mes tyre grupet kriminale,...

Shtyhet seanca paraprake ndaj “Avdylajve”, ja si bashkëpunonin mes tyre grupet kriminale, zbardhen përgjimet

0
272

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë gjyqin për dosjen e ashtuquajtur “Avdylaj”, pjesë e dosjes 339, ku bëhet fjalë për trafikun e drogës brenda dhe jashtë vendit. Në tetor të vitit 2018 në sajë të operacionit të koduar “Vol-vo 4”, u goditën 4 grupe kriminale. Gjatë këtij operacioni u shkatërrua edhe një laborator i përpunimit të heroinës në Has. Janë 25 të pandehur që janë dërguar për gjykim nga SPAK për trafik narkotikësh, tani i takon gjykatës nëse prokuroria i ka përfunduar hetimet dhe dosja është gati për gjykim apo do t’i rikthehet prokurorisë. Seanca e djeshme nuk u zhvillua për shkak të numrit të madh të avokatëve mbrojtës, pasi 2 nuk janë paraqitur në seancë ndërsa të tjerët kanë kërkuar që të njihen me aktet pasi nuk janë vënë në dispozicion nga prokuroria. Gazeta “SOT” ka siguruar dosjen dhe kërkesën e organit të akuzës për 25 të pandehurit e kësaj dosjeje voluminoze. Kërkesa e prokurorisë përmban plot 52 faqe, pjesa më e madhe e të cilave zihet nga përgjimet e prokurorisë të anëtarëve të këtyre grupeve kriminale. Hetimet nisën në Dhjetor 2016 pas arrestimit të 3 personave në Kavajë, tashmë të dënuar për trafik heroine. Më pas prokuroria zbuloi se pas tyre fshiheshin persona me influencë në zonën e Shijakut. Ata trafikonin kokainë dhe heroinë nga Kolumbia dhe Turqia për ta shpërndarë në Europë ku dërgonin edhe kanabis. Në përgjime dilnin ata që njihen si “Avdylajt e Shijakut”. Këtij grupi, me degë në Durrës, Lezhë, Fier e Sarandë, iu kap në Itali në Shkurt të 2017-ës një dërgesë me 2 ton kanabis. Nga aktet e administruara, nga përdorimi i metodave speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, vëzhgimet, si dhe nga aktet e marra nëpërmjet letërporosive, rezulton se janë dokumentuar episodet konkrete të sekuestrimit të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa, si gjatë prodhimit dhe shitjes së narkotikëve brenda vendit, ashtu edhe trafikimit të saj për jashtë shtetit, si dhe trafikimi i lëndëve narkotike të llojit heroinë brenda vendeve të Bashkimit Europian, nga Hollanda në Itali. Sipas dosjes, që gazeta disponon më datë 08.02.2017, autoritetet policore italiane kanë sekuestruar sasinë prej 1598 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Për ngjarjen në fjalë janë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptar Ermal Agaj dhe Avni Dhrami, ku është sekuestruar si provë materiale edhe mjeti lundrues me të cilin është trafikuar lënda narkotike nga Shqipëria në Itali. Rezulton se kjo lëndë narkotike është trafikuar nga dy personat e lartpërmendur për llogari të grupit kriminal si më poshtë. Nga hetimi ka rezultuar se ky mjet lundrues ka shkuar në rrugë detare nga Fieri në Lezhë, ku do të ngarkohej me lëndë narkotike dhe më pas do të trafikohej në drejtim të Italisë. Duke patur dyshime se po survejoheshin dhe do të ndiqeshin nga Policia, pjesëtarët e këtij grupi kriminal, Astrit Balliu, Gjevi Ndoka, Esat Mehmeti, Petrit Sulejmani, Saimir Sulejmani, kanë ndryshuar mënyrën e transportimit. Më datë 13 shkurt GJKKO do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ti rikthehet prokurorisë

Kërkesa e SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 17.01.2020 paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr.29/1, të vitit 2019 (akte të transferuara për kompetencë nga procedimi penal Nr.339/2016 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë) në ngarkim të të pandehurve Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka, Esat Mehmeti, Petrit Sulejmani, Saimir Sulejmani, Hajri Seferi, Orges Jahelezi, Shkëlqim Avdyli, Denis Llaftiu, Saimir Gjepali, Mario (alias Edinjo) Zeqiri, Elton Shehaj, Fatos Llaftiu, Ardit Gjyriqi, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Iskënder Sale (alias Mehmet Gjini), Xhemal Shala, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj, Vehbi Berushi, Mustaf Shuti, Anila Shuti, të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 284/c, 28/4, 287/1 gërma “b”, 25, 333/a/1, 334/1, 283/2 të Kodit Penal. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë ngritur akuza dhe dërguar për gjykim, edhe 38 të pandehur të tjerë, për të cilët vazhdon gjykimi. Deri tani në kuadër të këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim gjithsej 63 të pandehur. Po kështu në kuadër të hetimeve të këtij procedimi janë sekuestruar deri tani me qëllim konfiskimin, pasuri të paluajtshme (truall në bregdet) me sipërfaqe 300.000 (treqind mijë) m2, e cila ka qenë pronë shtetërore e përfituar në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e grupit kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar hotele, apartamente, automjete, me një vlerë prej rreth 5.000.000 (pesë milion) euro. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here