Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave nisin sezonin e ri artistik, me dy premiera artistike dhe ekspozitë skulpture. Drejtor i qendrës njëkohësisht dhe i teatrit Fatjon Sulstarova shprehet se muaji i dytë i vitit, që ka nisur do të jetë me aktivitete nga më të ndryshmet për fëmijët. “Kjo javë, por edhe muaji shkurt do jetë i mbushur plot aktivitete me fëmijët dhe për fëmijët duke vazhduar misionin tonë në argëtimin e tyre përmes artit”, pohon drejtori Sulstarova. “Qullaci i hekurt” është premiera e re teatrore, që çel sezonin artistik në Teatrin e Kukullave në datat 8 dhe 9 shkurt. Një shfaqje për të mos u humbur këtë javë, e cila përcjell një mesazh sensibilizues për të gjithë ne siç është fenomeni i bulizmit. Shfaqja i është besuar regjisorit Ledian Gjeçi, dhe do të interpretohet nga aktorët profesionistë të Teatrit të Kukullave. “Pinoku” është premiera e re, e cila çel sezonin artistik te Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë. Kjo performancë do interpretohet nga fëmijët e kursit të aktrimit me regji të Esmeralda Kame. Shfaqja do realizohet në skenën e Teatrit të Kukullave, në datë 5 dhe 6 shkurt ora 18:00. “Ekspozita e Skulpturës”, me punime nga artistët e vegjël të qendrës do çelet në datë 6 -7 shkurt në ambientet e Qendrës Rinore, në ora 18:00 nën drejtimin e mësueses Anisa Sala. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave Fajton Sulstarova shprehet se jo vetëm shfaqjet e ndryshme në skenë dhe më gjerë, por dhe veprimtari të tjera të artit do të jenë për fëmijët. “Ekspozitat e fëmijëve do jenë gjithmonë në qendër të misionit tonë për të promovuar sa më shumë talentet e rinj”, tregon ai. Përgjatë muajit shkurt çdo ditë do jetë e mbushur me aktivitete. Ora e përrallave do vazhdojë përsëri në kopshtet e kryeqytetit, organizimet me shkollat do jenë gjatë ditëve të javës me shfaqjet dhe premierat e reja të teatrit. Sipas drejtorit Fajton Sulstarova, artistët e teatrit do të jenë me aktivitetet e tyre edhe pranë fëmijëve në nevojë. “Shfaqjet për fëmijët në nevojë janë dhe do të mbeten prioriteti ynë dhe do të vazhdojmë edhe këtë vit, duke i qëndruar sa më pranë tyre aty ku ato ndodhen”, pohon drejtori Sulstarova.








































