Google search engine
Home Aktualitet Pianistja Hermira Gjoni me 50 vjet karrierë, një dokumentar për jetën dhe...

Pianistja Hermira Gjoni me 50 vjet karrierë, një dokumentar për jetën dhe aktivitetin

0
314

Pianistja Hermira Gjoni, me 50 vjet karrierë artistike është vlerësuar me aktivitetin e saj ndër vite. Në Nju Jork u zhvillua një mbrëmje e veçantë, me rastin e 50 vjetorit të karrierës artistike të pianistes së njohur. Ishin të pranishëm miq, kolegë dhe artistë të ftuar. Në këtë mbrëmje u shfaq një dokumentar rreth jetës dhe aktivitetit të Hermira Gjonit, për gjysëm shekulli në skenë, të ftuarve ju shpërndanë CD me interpretimet e saj në piano, si dhe libri “Jetë në tinguj”, që bën fjalë për jetën e pianistes. Me një koncert të shkurtër këngëtarë të ftuar interpretuan muzikë vokale dhe këngë të njohura nën shoqërimin e tingujve të pianistes shqiptare, që ka interpretuar në skenat e gjithë botës. Surpriza e mbrëmjes ishin përshëndetjet e dhjetëra kolegëve artistë nga e gjithë bota, që u shfaqën në dy ekrane të mëdha në sallën e këtij eventi. Kolegët shprehën konsideratën për punën dhe e uruan pianisten për këtë jubile të karrierës së saj. Hermira Gjoni është pjesë e dinastisë artistike “Gjoni”, bashkëshorte e kompozitorit të mirënjohur Simon Gjoni dhe nëna e artistit Andis Gjoni, i njohur për sukseset në artin vizual dhe skenik, me realizime të skenave dhe regjive të mjaft veprave në Shqipëri dhe SHBA. Ajo lindi në Tiranë në një familje mirëfilli aristokrate dhe me tradita dhe që në fëmijëri ju dedikua studimit të pianos, duke marrë mësime nga profesor Tonin Guraziu dhe më pas në Konservatorin e Muzikës në Tiranë nga profesor Cen Bi Gang. Ajo u diplomua në vitin 1963 dhe pati një karrierë të gjatë koncertale si soliste dhe shoqëruese në piano e këngëtarëve më në zë shqiptare. Hermira Gjoni për aktivitetin e saj artistik është nderuar nga Kuvendi i Shqipërisë me urdhërin “Naim Frasheri”, po ashtu nga Fondacioni Campania-USA me medalje nderi, me Proklamatë nderi nga Senati i shtetit të Nju Jorkut dhe me certifikatë nderi nga Kongresi Amerikan për arritjet e saj si artiste dhe për punën e saj në edukimin e brezave të pianistëve, akorduar nëpërmjet senatorit Elliot Engel. Gjithashtu Hermira Gjoni është nderuar me çmimin e karrierës nga shoqata “Motrat Qiriaz” dhe çmimin “Zonjë e suksesit shqiptar në botë” nga organizata “Albanian Excellence”. Por në këtë përvjetor ajo ka edhe një rekord të veçantë, nuk ka marrë asnjë vlerësim nga shteti amë i saj për afro 50 vjet, me gjithë punën e jashtëzakonshme dhe koncertet në gjithë botën, duke nderuar Shqipërinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here