Google search engine
Home Politike Pas KiE, edhe OSBE i drejtohet Komisionit të Venecias për paketën “Anti-shpifje”,...

Pas KiE, edhe OSBE i drejtohet Komisionit të Venecias për paketën “Anti-shpifje”, kërkon përmirësime në draft para votimit në Parlament

0
257

Paketa “Anti-shpifje” duket se do t’i hapë punë Komisionit të Venecias, i cili në muajin mars pritet që të shqyrtojë këtë draft. Pas Partisë Socialiste dhe Këshillit të Europës edhe OSBE dërgon qëndrimet e saj për “Anti-shpifjen” në këtë komision. Ka qenë përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, Harlem Desir, i cili dje përmes një postimi në “Twitter” shprehet se paketa ka nevojë për përmirësime të tjera dhe prandaj ka dërguar në Komisionin e Venecias rishikimet ligjore mbi projektligjet e Shqipërisë për Median Audiovizuale dhe Komunikimet Elektronike. “Kam dërguar në Komisionin e Venecias rishikimet tona ligjore mbi projektligjet e Shqipërisë për Median Audiovizuale dhe Komunikimet Elektronike, pasi Parlamenti shtyu votimin javën e kaluar. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë përmirësime të mëtejshme para një votimi të ri të Parlamentit”, shkruan Desir. Trupa e njohur juridike në muajin mars do të shqyrtojë të dy ligjet që përmban kjo paketë dhe ky fakt është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias. Kujtojmë se pak ditë më parë Parlamenti shqiptar e shtyu votimin e dekretit të presidentit Ilir Meta nga rendi i ditës së Kuvend, për të pritur Komisionin e Venecias. “Komisioni i Venecias ka pranuar që ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar në sesionin e 21 marsit. Gjatë muajit shkurt përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vinë në Tiranë për të dialoguar me ne, me këdo. Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet, më 20-21 mars”, deklaroi të enjten që shkoi kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në Parlament. Ndërkohë, në 23 janar të këtij viti Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “paketë antishpifje” të propozuar nga qeveria shqiptare e të kritikuar gjerësisht, jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë, por dhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve si dhe nga institucione ndërkombëtare. Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here