Google search engine
Home Politike Partia Socialiste kompleton dosjen e dytë kundër Metës, 4 institucione dorëzojnë dhjetra...

Partia Socialiste kompleton dosjen e dytë kundër Metës, 4 institucione dorëzojnë dhjetra faqe me informacione, ja provat e reja kundër presidentit

0
284

Partia Socialiste kompleton dosjen e dytë që do të përdorë kundër presidentit Ilir Meta. Në dhjetor të vitit që lamë pas, me shumicë votash, mazhoranca shtyu afatet e komisionit hetimor me katër muaj, ndërsa zgjeroi edhe objektin e hetimit të punës së komisionit, ku u futën si shkelje edhe nxjerrja e dekretit të presidentit Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye përveç hetimeve dhe dërgimit të çështjes sërish në Komisionin e Venecias, mazhoranca kërkoi edhe informacione nga katër institucione, sa i takon shkeljeve të Metës me vakancat në Kushtetuese. Gazeta ka zbardhur detajet e provave që ka në dorë mazhoranca kundër kreut të shtetit.

4 institucione dorëzojnë dhjetra faqe me informacione

Kështu, mes institucioneve që i kanë kthyer përgjigje komisionit hetimor janë Presidenca, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Shqipërisë, veçanërisht Këshilli i Legjislacionit. Këto katër institucione mësohet se kanë dorëzuar me dhjetra faqe me informacione, të cilat komisioni hetimor do t’i përdorë si “armë” për të fundosur presidentin Ilir Meta. Më konkretisht, Presidenca në përgjigjen e saj për Komisionin Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta nga detyra, ka dhënë sqarime shkresat e institucionit të Presidentit, i cili njofton kryetarin e Kuvendit për vendimin e pezullimit të procesit për plotësimin e vendit vakant për Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, Presidenca ka vënë në dispozicion edhe dekretet e Presidentit të Republikës, sa i takon anëtarëve të zgjedhur në Kushtetuese, si dhe letrat e kreut të shtetit drejtuar Kuvendit dhe KED për pezullimin e procesit së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sakaq, një tjetër provë që mazhoranca qeverisëse do të përdorë si provë kundër presidentit Meta janë informacionet që Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në dispozicion të komisionit hetimor. Sipas informacioneve të gazetës, mësohet se Kuvendi ka dorëzuar pranë komisionit hetimor një dosje shumë voluminoze, sikundër është raporti i Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë mbi kushtetutshmërinë e vijimit të procedurës që do të zbatojë Kuvendi për votimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese të shpallura nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018 dhe mars të vitit 2019. Ndërkaq, mësohet se Kuvendi ka vënë në dispozicion edhe shkresat e kryetarit Gramoz Ruçi, i cili kërkonte nga KED se kush ishte anëtare ishte legjitime zonja Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, si dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të datës 15 nëntor 2019 për shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, si provë kundër Metës, komisioni hetimor do të përdorë edhe përgjigjet që Gjykata Kushtetuese i ka kthyer atij, sikundër janë korrespodencat që ky institucion ka pasur me institucionet e tjera për vakancat në Kushtetuese, si dhe ligjin për këtë gjykatë.

Brenda shkurtit dëshmon Dvorani

Por duket se për anëtarët socialistë të komisionit hetimor vendimtare do të jenë dëshmitë e personave që kanë dijeni në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në planin hetimor të siguruar nga gazeta, mazhoranca ka vendosur që të thërrasë si dëshmitar kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili mësohet që do të dëshmojë para komisionit hetimor brenda muajit shkurt. Sipas informacioneve, mësohet se dëshmia e zotit Dvorani do të jetë vendimtare dhe do të përdoret si provë kundër presidentit Ilir Meta. Nga ana tjetër, mazhoranca do të përdorë si provë kundër Metës edhe përgjigjet e drejtuara nga KED për komisionin hetimor në lidhje me ecurinë e procesit të zhvilluar nga ana e Presidentit dhe Kuvendi për plotësimin e vakancave për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here