Google search engine
Home Aktualitet Njësia anti-KÇK zbret në terren, sekuestrohet resorti ku u mbajt peng Jak...

Njësia anti-KÇK zbret në terren, sekuestrohet resorti ku u mbajt peng Jak Prenga, ja pasuritë e Altin Hajrit që po kalojnë në sitën e OFL

0
272

Pas miratimit të aktit normativ të paketës anti-KÇK, ditën e djeshme Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar në terren. Mesditën e djeshme është ndërmarrë dhe operacioni i parë, ku kjo forcë ka rrethuar resortin “Golden” në Shijak, e cila është në pronësi të familjes Hajri, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës. Në sitën e kësaj strukture do të jenë të gjitha objektet, pronat dhe llogaritë bankare të anëtarëve të kësaj familje, të afërmve të tyre apo personave të tretë që dyshohet se mund të jenë përdorur për të transferuar pasuritë e krijuara përmes aktivitetit kriminal. Policia dyshon se pasuritë burojnë nga aktivitete kriminale. Përveç kompleksit “Golden”, mësohen se nga efektivët e “Operacionit Forca e Ligjit”, janë sekuestruar edhe tre shtëpi dhe 1 pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri. Policia e Shtetit ka dhënë informacion lidhur me operacionin e parë të njësisë speciale Forca e Ligjit, i cili u finalizua dje me sekuestron mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Hajri. Ky shtetas është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15 gusht 2015, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Policia thotë se sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special. Pas sekuestrimit të pasurisë së familjes Hajri, nëse ata nuk do mund të justifikojnë burimin e tyre, dosja e tyre do të shkojë në SPAK. Kësaj të fundit i jepet 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros. Ndërsa familja Hajri ka kohë vetëm 48 orë për të plotësuar formularin mbi justifikimin e pasurisë. Pronari i resortit, Altin Hajri, vazhdon të jetë ende në kërkim nga policia. Ndërsa kërkimet vazhdojnë edhe për gjetjen e trupit të 49-vjeçarit që mendohet se është varrosur në fshatin Pjezë, shumë afër resortit “Golden” në zonën e Shijakut. Policia dyshon se anëtarët e familjes Hajri janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, por zyrtarisht nuk jepen detaje mbi operacionin.

Marrja peng dhe asgjësimi i trupit të Prengës

Mosdorëzimi i një sasie prej 283 kg kokaine është bërë shkak i pengmarrjes dhe më pas asgjësimit të Jak Prengës. Hetues anglezë janë duke bashkëpunuar me policinë shqiptare për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në pengmarrjen e babait të 5 fëmijëve në Kamëz dhe personat e përfshirë në trafikun e drogës në Angli. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se njëri nga vëllezërit Prenga, ka qenë në përgjim në Angli, si i dyshuar për transportues droge, korrier i bandës së trafikut drejtuar nga vëllezërit Hajri. Burime nga organi i akuzës thanë se personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë dashur të fusin në territorin anglez 283 kg kokainë. Në një episod të mëparshëm ky grup ka arritur të fusë me sukses në Angli, 60 kg kokainë. Droga është futur nga një port i Anglisë, dhe nxjerrësi i drogës ka qenë njëri nga 3 vëllezërit Prenga që banon në Angli. Ky episod është monitoruar nga agjentët e antidrogës në Britani. Në dhjetor të 2019, grupi ka përdorur sërish një nga vëllezërit Prenga, për të nxjerrë nga porti 283 kg kokainë dhe për ta futur në territorin anglez. Sasia e drogës ka dalë nga porti, por nuk është çuar në destinacion nga vëllai i Jak Prengës. Si pasojë e mungesës së drogës, grupi në Shqipëri, vëllezërit nga Shijaku, Leonard dhe Altin Hajri, njëri i arrestuar tjetri në kërkim, kanë marrë peng Jak Prengën në Kamëz, vëllanë e personit që nuk dorëzoi në destinacion 283 kg kokainë. Marrja peng e Jak Prengës në Kamëz, është kryer duke përdorur sende të forta dhe armë. Sipas policisë e prokurorisë, autorët kanë përdorur makinën e një këngëtareje, automjet i cili rezulton të jetë vjedhur prej tyre. Deri më tani policia refuzon të japë emrin e këngëtares që i është vjedhur makina. Pengmarrja ka ndodhur për të detyruar vëllanë tjetër Prenga në Angli të tregonte se ku e kishte çuar drogën, e nxjerrë nga porti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here