Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe ish-ministri Saimir Tahiri janë dy emrat më të rrezikuar nga SPAK. Të gjithë presin hetime zyrtarisht, por për Llallën e Tahirin, dosjet janë gati. Ish-kryeprokurori ka dy vite nën hetim, ndërsa Tahiri i shpëtoi burgut në Shkallën e Parë, ndërsa tani çështja është në Apel. Por si për koincidencë, të dy do të jenë objekt i SPAK. Dosja e Llallës ka kaluar tek Prokuroria e Posaçme, ndërsa vendimi i formës së prerë për Tahirin do të jepet nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Të dy e dinë se “gjëma” ju bë nga amerikanët, e për këtë arsye kanë nisur punën për të qetësuar marrëdhëniet me amerikanët. Pak kohë më parë u bë e ditur se ish-kryeprokurori Llalla ka kontraktuar një kompani lobimi në SHBA, ndërsa së fundmi të njëjtën gjë ka bërë edhe ish-ministri Saimir Tahiri.
Tahiri lobim në SHBA
Ish-ministri i Brendshëm ka angazhuar një kompani amerikane për të komunikuar me komunitetin politik dhe atë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara. Ishte “Radio Europa e Lirë” ajo që e bëri publik lajmin, duke treguar gjetjet në regjistrimet e FARA në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë ka marrë një raportim sa i takon angazhimit të kompanisë “Stone Strategic Solution”, nga ana e ish-ministrit Tahiri. Kujtojmë se raportimi i lobimit është i detyrueshëm me ligj në Shtetet e Bashkuara. Tahiri ka angazhuar kompaninë amerikane për ta ndihmuar në komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe komunitetin e inteligjencës, në lidhje me dorëheqjen e tij nga qeveria dhe çështjet që ndërlidhen me betejën e tij ligjore në Shqipëri. Kjo është e theksuar tek dokumentacioni që është regjistruar në FARA, i bërë publik nga “Radio Europa e Lirë”. Mes të tjerash, në dokumentacion përmenden edhe fushatat e keqinformimit dhe pretendimeve të rreme në media, që në shënjestër kanë zotin Tahiri. Ish-ministri Tahiri e ka angazhuar këtë kompani për të lobuar që në 14 janar, 2020, për një periudhë tremujore, deri më 14 prill, 2020, me mundësi zgjatjeje. Çmimi bazë për këtë tremujor do të jetë 20,000 euro.
Lobimi i Llallës
Edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka ndjekur të njëjtat hapa që po ndjek tani Tahiri. Llalla shpenzoi rreth 10 mijë USD gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019 për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “person non-grata” në SHBA. Lajmi për shpenzimet e tij u bë publike nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fillim të vitit 2019, Llalla punësoi studion ligjore Sher Tremonte LLP për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit, i cili i ndaloi Llallës hyrjen në SHBA, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Sher Tremonte LLP është një studio ligjore e specializuar në përfaqësimin e kompanive në konflikte tregtare komplekse si dhe probleme ligjore që lidhen me të ashtuquajturit “jaka të bardha”. Nëpërmjet një njoftimi publik në shkurt 2018, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në një listë të zezë zyrtarësh që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.









































