Këshilli i Lartë i Prokurorisë dje u bëri një ftesë të gjithë prokurorëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilët nuk shërbejnë në një pozicion me mandat të kufizuar dhe që nuk janë të komanduar në ndonjë pozicion tjetër, të shprehin interesin për tu komanduar pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gazeta e tha pak ditë më parë se Artur Metani ka kërkuar një prokuror për asistencë, i cili do ketë mandat 5-vjeçar. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me nenin 53/2, 54 të Ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenin 176/3 të ligjit nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” dhe në bazë të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë me shkresën Nr.4 Prot datë 29.01.2020, kërkesë e pranuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e datës 31.01.2019, fton të gjithë prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit të cilët nuk shërbejnë në një pozicion me mandat të kufizuar dhe që nuk janë të komanduar në ndonjë pozicion tjetër, të shprehin interesin për t’u komanduar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Këshillit. Më tej në njoftim, KLP bën me dije se afati përfundimtar është 14 shkurti, ndërsa ka zbardhur dhe dokumentet që duhet të bashkëngjisin aplikuesit. “Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë aplikimin brenda datës 14 Shkurt 2020. Kërkesa për shprehjen e interesit duhet të përmbajë këto dokumente: Letër motivimi ku kandidati shpreh arsyet dhe motivin e kandidimit për këtë pozicion pune; CV- në e kandidatit. Mbi zarf duhet të shënohet: “Shprehje Interesi për Komandim pranë ILD”, shkruhet në njoftim. Dje gjithashtu, KLP-ja njoftoi se janë hapur vende vakante për kandidat për magjistratë. Këshilli njofton se numri i vendeve vakante do të jetë 75 kandidatë për magjistratë, nga të cilët 40 profili gjyqtarë dhe 35 profili prokurorë. Gjithashtu, KLP në njoftim bën të ditur se më datën 15 mars do të bëhet vlerësimi, ndërsa pranimi i kandidatëve që plotësojnë kriteret e kërkuara do të jetë në dy faza.











































