Ndërkohë që Prokuroria i ofroi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë një prej të dyshuarve për rrëmbimin dhe torturimin deri në vdekje të Jan Prengës, gazetarja Koldiana Lala ka nxjerrë të tjera detaje .
Sipas saj i arrestuari Festim Bexhdili, i cili nxori trupin e pajetë të 49-vjecarit nga bodrumi i resortit luksoz “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Burime policore thanë për Klodianën se Bexhdili fillimisht nuk pranoi të fliste, por kur përpara iu vunë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ku shfaqej edhe vetë, vendosi të rrëfehej. I arrestuari ka pranuar para hetuesve se është i punësuar si kopshtar në “Golden”, dhe pasditen e 17 janarit, pronari i kërkoi të nxirrte nga kompleksi trupin e pajetë të një personi.
Ai shpjegon se u largua me një furgon të bardhë dhe disa kilometra nga resorti, trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra. Më pas, ai thotë se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin. Dëshmia e Bexhdilit konsiderohet një provë e fortë dhe për këtë shkak prokuroria i ka ofruar statusin e bashkëpunëtorit, përderisa deri në gjetjen e trupit, është e vështirë që ndaj të dyshuarve të ngrihet akuza e vrasjes.
Prokuroria është në kërkim të Ardian dhe Artan Doçit, të cilët dyshohen për zhdukjen e trupit të pajetë të pengut. Rrëmbimi i Jan Prengës u urdhërua nga një kartel kriminal, pasi vëllai i pengut, zhduku në Britaninë e Madhe një sasi të madhe kokaine në Ekuador.








































