Brad Pitt u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “BAFTA” dhe në fjalimin përshëndetës nuk munguan as fjalët ironizuese ndaj situatës në Britani, si me Brexit dhe me princin Harry.
“Përshëndetje, Britani! Mora vesh që tani je “single”. Mirë se erdhe në klub”!
Duke vijuar me sensin e humorit, ai vijoi: “Do ta quaj këtë trofe Harry, sepse jam shumë i emocionuar për ta çuar në SHBA”.
Referenca është për vendimin e princit Harry dhe Meghan Markle për t’u shkëputur nga familja mbretërore britanike dhe për të jetuar në Amerikën e Veriut. Në sallë ishin të pranishëm edhe djali i madh i princit Charles, William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton.










































