Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri kanë dalë sot para gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me vlerësimin e masës së sigurisë për vrasjen e Jan Prengës. Autorët u arrestuan gjatë operacionit të së hënës, që forcat RENEA zhvilluan në rrethinat e Shijakut, mes të cilëve edhe babai e vëllai i Altin Hajrit. Ky i fundit si kreu i grupit, ndërsa është shpallur në kërkim. Një në lidhje direkte nga jashtë gjykatës për ‘Neës24’ gazetarja Klodiana Lala pohoi se policia dhe prokuroria kanë arritur që të zbardhin rolet e personave të arrestuar.
Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri dhe Olsi Turja, akuzohen për mbajtje peng të personit dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Festim Bexhdili, që u arrestua në Kavajë, akuzohet për fshehje dhe asgjësim të trupit të pajetë të Prengës, i cili e ka groposur.
49-vjeçari Prenga u mor peng, u dhunua dhe u rrëmbye më 17 janar, në Kamëz, por vetëm më 28 janar, policia konfirmoi vdekjen e tij nga humbja e gjakut, pas dhunës e torturave. Pavarësisht kërkimeve, deri më tani nuk është arritur që të gjendet trupi i viktimës, ndërsa kërkimet janë shtrirë në zonën e Shijakut.
Gazetarja Lala deklaroi se urdhri për rrëmbimin e 49-vjeçarit u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin shqiptari Dritan Rexhepaj. Sipas Lalës, duke u bazuar tek dosja hetimore, Rexhepaj është një emër i skeduar nga policia, pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë, ndërsa pas krimit u arratis.
Ajo theksoi se ka qenë pikërisht Rexhepaj ai që ka bërë lidhjen mes grupit kriminal në Britani, ku ka njoftuar për humbjen e ngarkesës prej 300 kg kokainë, për të cilën u fajësua vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga.









































