Kryeministri Edi Rama është përplasur dje në Kuvend me deputeten Rudina Hajdari. Kryeministri e nisi fjalën me ligjin për ndërtimet, ku pohoi se një reflektim është tepër i nevojshëm pas tërmetit të 26 nëntorit. Rama theksoi se gjatë tërmetit nuk u shembën ato godina që respektuan projektin, por ato që ishin ndërtuar me më shumë kate se sa ishin projektuar. Sakaq ai ka bërë një paralajmërim për të gjithë ndërtuesit e pallateve shtesë. Rama tha se këto godina ose do të shemben, ose do të përdoren për qëllime sociale. Po ashtu shefi i qeverisë nuk la pa shigjetuar dhe atë çka ai e cilëson grupi KÇK, ku theksoi se në këto raste të abuzimit, ky grup ka gjunjëzuar shtetin.
“Ju siguroj se një pjesë e madhe e ndërtesave në Tiranë dhe padiskutim dhe në qytete të tjera, s’kanë lidhje fare me lejet e ndërtimit të miratuara. Nëse do ishin zbatuar projektet e miratuara nga bashkitë, do kishim sot pas 30 vitesh qytete më cilësorë në pikëpamje të urbanistikës. Ajo që ka ndodhur historikisht dhe që ka sjellë dhe situatën e papranueshme të pamundësisë të qindra-mijëra familjeve për të zotëruar pronën e tyre, është tejkalimi i kornizës së ndërtimit. Kate e shtesa anësh. Arkitektët janë të fundit qe firmosin në projekt. Konstruktorët nuk mund të mos mbajnë përgjegjësi penale kur ndërtohen dhe 2 kate shtesë”, tha Rama. Kryeministri tha se e gjithë kjo është e paligjshme dhe gati kriminale. Rama theksoi se të gjitha godinat që kanë respektuar rregullat e ndërtimit dhe nuk kanë abuzuar, nuk janë shembur. “E gjitha është e paligjshme, deri tek kriminale. Nuk janë shembur në Durrës godina që kanë respektuar parlamentet. Por godina që me leje ndërtimi janë bërë 3 kate dhe në fakt u ndërtuan 8 kate. Shto ujë e shto miell. Ato morën jetë njerëzish. Nuk mund të funksionojë dot jashtë përgjegjësisë penale ky sistem. Me gjykatë ata kanë gjunjëzuar shtetin. KÇK nuk e ka lejuar këtë”, tha Rama.
Reagon Hajdari
Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ka akuzuar ditën e djeshme kryeministrin Edi Rama, se ka mbështetur ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako në dhënien e lejeve të ndërtesave të shembura nga tërmeti. Hajdari u shpreh se Rama ka vënë në krye të bashkive njerëz me rekorde kriminale. “Kryeministri foli sikur nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe nuk e di se çfarë bëhet me ndërtimet pa leje. Ai akuzon për mungesën e cilësisë së ndërtimit. Kush e ka fajin për betonizimin? Kush e mbështeti Vangjush Dakon, unë apo kryeministri? Kush e ka fajin për gënjeshtrat e kryeministrit? Nuk flet për ata sepse ata e kanë në xhep. Merret me qytetarët e thjeshtë që po katër kate pa leje. Endesh në Europë për egon tënde, do të tregosh se je lideri suprem. Ju takoheni me politikanë të njohur jashtë vendit, por këto janë ambicie personale që nuk kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve sot. Mos shpifni”, tha Hajdari.
Kundërpërgjigjet Rama
Sakaq Rama i është përgjigjur akuzave të Hajdarit. Ai tha se dallimi mes saj dhe Bashës është se ai gënjen me dashje dhe është i vetëdijshëm për atë që thotë, ndërsa Hajdari flet pa e ditur kuptimin e asaj që artikulon. “Opozitën nuk e zgjedh. E ke. E kishim opozitën këtu. Jeni si dy pika uji me ata që nuk janë këtu. Nëse ka ndryshim mes jush dhe Bashës është se ai gënjen me dashje, ju gënjeni me dashje, ai bën sikur nuk kupton, ju nuk kuptoni. Ju sa herë merrni fjalën kaloni nga betonizimi te krevatet, nga kontrolli mjekësor tek bllok në Tiranë. Tamam si vër tulla me mistri. Vini këtu dhe bëni një sallatë fjalësh”, tha ai.