Partia Demokratike po vijon me kallëzimet penale pranë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion. Ditën e djeshme PD ka dërguar në SPAK disa emra të njohur të Partisë Socialiste, këtë herë sa i takon tërmetit të 26 nëntorit dhe menaxhimit të situatës post tërmet. Partia Demokratike ka bërë me dije lajmin me anë të një njoftimi për shtyp, ku mësohet se emrat e kallëzuar penalisht, janë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ish-kreu i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, i cili është ndër emrat më të sulmuar nga PD, po ashtu ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe disa emra të tjerë.
“Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me një kallëzim penal lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Janë disa nga zyrtarët e lartë publikë të kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për 5 vepra penale: “Shpërdorim detyre”; “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, thuhet në njoftim. Emra të tjerë të kallëzuar penalisht janë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ish-kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako dhe kreu i Bashkisë Krujë, Artur Bushi.
“Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, një javë më parë, evidentohet se: “Neglizhenca kriminale e Kryetarit të Bashkisë Krujë dhe të funksionarëve të tjerë publikë, duke lejuar banorët e 2 pallateve në Thumanë të qëndronin në brendësi të këtyre godinave, të cilat ishin deklaruar të pabanueshme dhe përbenin rrezik serioz për jetën e banorëve, ka sjellë pasojën e rëndë të vdekjes së 24 qytetarëve. Kjo përbën veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese”, thuhet ndër të tjera në njoftim. Në kallëzimin e PD-së theksohet se zyrtarët publikë me vetëdije të plotë nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre pasojave. PD është shprehur më tej se kjo shpërfillje totale për jetët njerëzore nga zyrtarët publikë e bën vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë një “vrasje shtetërore”, për të cilën duhet të përgjigjen penalisht personat përgjegjës.









































