Presidenti Ilir Meta vijon të këmbëngulë se ideja e hedhur së fundmi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë janë teza të rrezikshme, duke sfiduar hapur kështu amerikanët që mbështesin një marrëveshje të kësaj natyre. Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Meta theksoi dje se nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, pasi sipas tij, ky projekt nuk është lojë dhe se kësisoj ndarjesh ndodhin vetëm në orën e vizatimit.
“Paqja nuk izolohet nga kufijtë. Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të matur për ta ruajtur atë edhe në rajonin tonë, që i ka ende të freskëta plagët e gjenocidit dhe konflikteve etnike e fetare. E rëndësishme është të kuptojmë se e ardhmja është vetëm bashkëjetesa. Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi. Të punojmë të gjithë, jo për ndryshim të kufijve, por për heqje të tyre, për partneritet të plotë, në pozita të barabarta, me një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.
Po dje, presidentit Meta përmes një statusi në rrjetet sociale, bëri thirrje për unitet, teksa shtoi se për të shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për një dialog të vërtetë, madje të hapur. “Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për një dialog të vërtetë, të hapur, pa përjashtime dhe manipulime, me gjithsecilin prej tyre. Ata duan që zëri i tyre të dëgjohet, të kenë lirinë e zgjedhjes, të fjalës, të jenë aktivë dhe faktorët më kryesorë në ruajtjen e Kushtetutës, demokracisë, në vendimmarrjen dhe destinacionin europian të vendit. Shqiptarët meritojnë standarde më të mira jetese dhe një ekonomi më të konsoliduar, më përfshirëse dhe më shpresëdhënëse. Shqiptarët duhen dëgjuar dhe jo përjashtuar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, po dje përmes një statusi të tretë të publikuar në rrjetet sociale, presidenti Meta vlerësoi tërheqjen e mazhorancës qeverisëse sa i takon ligjit anti-shpifje, duke treguar se marrëdhëniet mes tij dhe shumicës janë qetësuar. “Përshëndes vendimin pozitiv dhe të përgjegjshëm të Kuvendit për t’u tërhequr nga votimi i paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”. Reflektimi i sotëm i shërben një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe njëkohësisht garantimit të standardeve demokratike dhe europiane”, nënvizoi Meta.