Barcelona gjen “Ronaldon e Ri” në Portugali, ofron 20 mln euro për Trinçaon e Bragës

0
275

Barcelona dëshiron të bëjë një goditje të madhe në treg, ndoshta jo në këtë merkato dimri, por në verë është e sigurt që do të përpiqet medoemos për të marrë në gjirin e saj një prej talenteve të mëdhenj të futbollit portugez, Françisko Trinçaon e Bragës. Është një djalosh me shumë të ardhme dhe natyrisht një futbollist me potencial të madh në fazën ofensive. Barcelona ka kohë që e ka pikasur futbollistin dhe dëshiron ta marrë sa më shpejt, por oferta e saj financiare ka ngecur për momentin, pasi Braga kërkon dyfishin e asaj që ofrojnë klubi blaugrana. Projekti është mjaft i qartë për Barcelonën dhe trajnerin Setien.

“Klubi katanan, që është vënë në kërkim të një zëvendësuesi për të dëmtuarin Luis Suarez, ka gati ofertën prej 20 milionë eurosh për talentin e Bragës, i konsideruar edhe si “Ronaldo i ri”. Me Osmane Dembele më shumë në infermieri sesa i gatshëm për lojë, trajneri Kuike Setien e ka të qartë se mund të vuajë shumë mungesën e cilësisë në thellësi të sulmit, duke patur parasysh që Barcelona po lufton për trofe në tre fronte (kampionat, Kupa e Mbretit dhe Champions)”, shkruajnë mediat sportive spanjolle.

Ndërkohë, gazetari italian, Xhianluka Di Marzio, shkuan se janë zhvilluar bisedime mes dy klubeve, kështu që në momentet e fundit pritet të zyrtarizohet kjo lëvizje. 20-vjeçari ka shfaqur formë të mirë këtë sezon, duke shënuar tre gola dhe dhënë gjashtë pasime për gol në 22 paraqitje për skuadrën portugeze. Ai ka spikatur edhe në përfaqësueset e moshave të Portugalisë, nga U-17 në U-21, dhe konsiderohet një talent me të ardhme të sigurt. I aftë të luajë kudo në vijën e parë, pozicioni i tij i preferuar është krahu i djathtë. Kjo mund të jetë një arsye që Setien të zhvendosë Mesin në qendër të sulmit.

Nga ky projekt që vështirë të realizohet për së shpejti, Barça mund të përfitojë sulmuesin e së ardhmes. Ndërkohë, Barcelona po vijon me intensitet punën për të mundësuar shitjen e brazilianit Felipe Kutinjo, i cili i ka mbetur në derë. Thuhet kështu pasi në radhët e blaugranave nuk ka vend për të, pasi dihet që aty erdhi Griezman, ndërkohë që Suarez dhe Dembele, sado me probleme të jenë, shihen me më shumë përparësi. Mësohet se Barcelona është duke bërë përpjekje për ta shitur Kutinjon gjatë ditëve të fundit të afatit kalimtar të janarit, në mënyrë që të mbledhë para për blerjen e një sulmuesi të ri. Kutinjo është momentalisht i huazuar në Bajerni i Mynihut, por kampioni spanjoll do ta ndërpresë marrëveshjen e huazimit me klubin gjerman, nëse ndonjë klub tjetër shfaq interesim për ta blerë brazilianin.

Por Kutinjo nuk është i vetmi lojtar të cilin Barcelona dëshiron ta shesë, pasi thuhet se edhe Ivan Rakitiç është në listën e largimeve. Për mesfushorin kroat interesim kanë shfaqur klubet e Serie A në Itali. Siç thamë, Barça është në kërkim të një sulmuesi të ri, për shkak të lëndimit serioz të Luis Suarezit, i cili u operua në gju dhe do ta humbasë pjesën e mbetur të këtij sezoni. Mbetet të shihet deri në fund të merkatos se cilin skenar do të mund të realizojë Barcelona, por koha e paktë në dispozicion nuk jep shumë shpresë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here