Google search engine
Home Politike Zbardhet vendimi final për amnistinë, përjashtohen hajdutët dhe fitojnë liri të dënuarit...

Zbardhet vendimi final për amnistinë, përjashtohen hajdutët dhe fitojnë liri të dënuarit për ndërtimet pa leje, ja detajet

0
371

Zbardhet variant final i ligjit për amnistinë ndaj të burgosurve. Ditën e enjte do të bëhet miratimi i tij në seancë plenare, por me disa ndryshime. Komisioni i Ligjeve ka pranuar sugjerimet e Komisionit të Sigurisë, duke përjashtuar hajdutët nga amnistia dhe duke bërë pjesë të saj të dënuarit e ndërtimit, ashtu siç dhe u diskutua në mbledhjen e 23 janarit. Në raportin përfundimtar të vendimit, shkruhet se Komisioni i Sigurisë ka kërkuar ndryshim për dy pika në nenin 4. “Konkretisht u diskutua sugjerimi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare që në kategorinë e veprave penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike të ndaluara për përfitimin e amnistisë, të shtohet edhe paragrafi i parë i nenit 134 të Kodit Penal. Ky paragraf parashikon vjedhjen e pasurisë e cila dënohet me burgim nga 3 muaj deri në 3 vjet dhe është një vepër penale në rritje dhe me një rrezikshmëri jo të vogël shoqërore, krahasuar me veprat e tjera penale për të cilat ndalohet dhënia e amnistisë sipas parashikimeve të këtij projektligji”, shkruhet në raport.

Gjithashtu, në nenin 4 kërkohet të hiqet një nga paragrafët, pasi sipas anëtarëve të komisionit, janë vepra penale që duhet të përfitojnë amnisti. “Gjithashtu, me propozim të anëtares së komisionit znj. Elena Xhina dhe sugjerim të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, u diskutua që të hiqet paragrafi 1 i nenit 199/a “ndërtimi i paligjshëm”. Ky paragraf parashikon ndërtimin e kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me burgim deri në një vit”, shkruhet më tej. Pra hajdutët nuk do përfitojnë nga amnistia, ndërsa do të tolerohen të dënuarit për dënime pa leje.

Ndryshimet e tjera në ligj

Përpos ndryshimeve në nenin 4, neni i kritereve ndaluese të amnistisë, ndryshime janë bërë dhe në nenin 2 dhe 3. Konkretisht, Ministria e Drejtësisë në projektligj, në nenin 2, kishte parashikuar që do të përfitojnë amnisti të dënuarit me formë të prerë deri në datën 30.09.2010, ndërsa Komisioni i Sigurisë, kërkoi që afati të shtyhet me një muaj. “Në përfundim të diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi sugjerimin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare për ndryshime në nenin 2 dhe 3 të projektligjit dhe konkretisht që, afati për përfitimin e amnistisë të shtrihet për dënime të dhëna deri në datën 31.12.2019”, thuhet në raportin përfundimtar. Por një tjetër sugjerim të Komisionit të Sigurisë, nuk u miratua. Konkretisht bëhet fjalë për pikën 8 të nenit 3, që parashikon se “të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur”.

Komisioni argumenton se ligji vetë parashikon politika të lehtësuara dënimi për këtë kategori të dënuarish, por ky sugjerim nuk u mor në konsideratë sugjerimin, dhe miratoi me shumicën e anëtarëve të pranishëm variantin e propozuar nga Këshilli i Ministrave. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në raportimin e saj bëri të ditur në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore se janë të paktën 5,351 persona në burg, nga të cilët 2,632 janë të dënuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here