Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, në një intervistë për gazetën “SOT” ka komentuar aktualitetin politik në vend. Sa i takon ngritjes së SPAK, ai është shprehur se do të ketë hetime dhe ndaj pushtetarëve të lartë. Brokaj u shpreh se Berisha është ndër ata që duhet të hetohet sa më shpejt. Po ashtu ka komentuar dhe lëvizjet e PS për shkarkimin e presidentit Meta. Një tjetër temë është ajo e ndryshimit të krerëve të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ku Brokaj ka folur mbi Agron Tufën e Çelo Hoxhën.
-Zoti Brokaj, SPAK është institucioni më i rëndësishëm i reformës në drejtësi dhe pak javë më parë ka marrë jetë. Mendoni se do ketë një frymë të re në luftën ndaj korrupsionit?
Mua më pëlqen që të besoj se me ngritjen e SPAK do të nisë një epokë e re sa i takon luftës kundër korrupsionit në nivel të lartë zyrtarësh. E thashë më pëlqen që dua të besoj se kjo strukturë do luftojë korrupsionin, e thashë se dua të shoh fakte. Por nga ana tjetër në qoftë se nuk do të luftojë dhe hetojë nivelin e lartë të korrupsionit, do të thosha që kot u munduan dhe harxhuan paratë. Dhe fakti është që është aq shumë i pritur në kohë dhe si dëshirë ngritja e SPAK, se n.q.s nuk do të merret me këto, atëherë, edhe depresioni do të jetë i madh. Megjithatë, besoj se përderisa reforma në drejtësisë, e sidomos SPAK u krijua me mbështetje nga të huajt dhe veçanërisht nga SHBA, por edhe BE, besoj se ky organ do ta kryejë misionin për të cilin është krijuar dhe nuk do të bjerë në nivelin e realiteteve tona të ditës. Ka ardhur koha që të korruptuarit të japin shpjegime para drejtësisë.
-A ka politikanë që i tremben realisht reformës në drejtësi, e sidomos SPAK-ut?
Patjetër! Kjo pasi nëse nuk do të kishte politikanë që nuk i tremben SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë, vetingun dhe reforma në drejtësi do të ecte me ritme më të shpejta. Kështu që, nisur nga fakti që reforma në drejtësi u vonua 2-3 vjet, tregon se politika i frikësohet kësaj reforme. Pra, kjo tregon se ata që e shtynë këtë reformë dhe e zhvendosën në kohë janë lebetitur (tmerruar) nga kjo reformë, pasi kërkuan që ta modifikojnë atë, por që nuk i arritën. Dhe kjo tashmë është botërisht e njohur.
-Por teksa flasim për SPAK që do të godasë korrupsionin politik, në harkun e 10 ditëve gjykata mbylli dosjen e lobimeve të PD dhe dosjen e CEZ, ku akuzoheshin Basha e Berisha…
Përderisa që janë po ata gjyqtarë që kanë qenë në shërbim të Partisë Demokratike, ku për koincidencë është i njëjti gjyqtar që pushoi hetimet për lobimin e PD në SHBA dhe dosjen e CEZ, mendoj se ai nuk mund ta ndryshojë mënyrën e sjelljes në raport me punën dhe bindjen, për arsye se ai ka detyrime ndaj atyre, të cilët gjykon. Kështu që, edhe në nivelin më absurd të gjykimit, ky lloj gjyqtari jep këto vendime, pasi ka detyrimet e komprometimit të tij dhe frikën e marrëdhënieve të hershem të karakterit deri kriminal me këta njerëz. Pra, ky model gjyqtarësh i ka shërbyer me kohë politikës dhe vijon t’i shërbejë, duke i amnistuar nga drejtësia. Këto raste janë absurde, sikundër është dosja e “CEZ”, një rast flagrant dhe shumë i provuar dhe argumentuar edhe juridikisht që ka vjedhje dhe korrupsion. Kështu që, realisht problemi është më shumë se çështje penale, në kuptimin e dëmit që i kanë bërë vendit këta të korruptuar, sikundër është kjo çështje. Madje, dua të shtoj se ka ardhur koha që të hapen të gjitha dosjet e bujshme.
-Në kuadër të dosjeve të bujshme, një javë më parë u përkujtuan 4 të vrarët e 21 Janarit 2011. Mendoni se do të vijë dita të zbardhet kjo çështje?
Tragjedia e “21 Janarit” e vitit 2011 ishte një krim shtetëror. Përgjegjësit e “21 Janarit” duhet të dalin para drejtësisë. Ndërkohë, mendoj se ata që kanë vonuar zbardhjen e kësaj masakre, kanë përgjegjësi dhe këta janë si ata që bënë krimin dhe vrasjet asokohe. Prandaj, vonesa e tyre për zbardhjen e ngjarjes në fjalë, i ka implikuar ata më shumë se sa vrasësit. Për mua gjithë shoqëria shqiptare, e sidomos njerëzit e politikës dhe drejtësisë e zhvendosën këtë çështje, gati 9 vjet pa e trajtuar, e cila për mua është gjëja më e pistë që po i bëhet kësaj tragjedie. Kështu që, për mua bravo iu qoftë familjarëve të viktimave të “21 Janarit” që e çuan çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Por është turp për Shqipërinë që një ngjarje që ka ndodhur në mes të diellit dhe ditën, në mes të bulevardit dhe u vranë katër qytetarë të pafajshëm nga shtetit i asokohe. Turp, që një krim shtetëror si ai i 21 janarit nuk është zbardhur ende.
-Keni një koment për deklaratat e Berishës, i cili pak ditë më parë në një studio televizive është shprehur se nuk ka pendesë dhe se 4 viktimat e “21 Janarit” e meritonin plumbin?
Fakti që ish-kryeministri Sali Berisha bën pohime të kësaj natyre, nuk tregon se në çfarë emocionesh është ai, apo çfarë bindje ka ai për masakrën e “21 Janarit” dhe krimin që ka bërë. Por për mua pohimi i Saliut është ngarkesë për prokurorinë, pasi kur një individ pohon dhe përsërit një krim që ka bërë, ai normalisht duhet të kapet për veshi dhe të shkojë të japë sqarime para drejtësisë. Berisha thotë: “Vrava dhe do vras” dhe këta bëjnë sehir. Por çfarë popull është ky xhanëm, që i bën sehir një individi që vret njerëz të pafajshëm dhe mburret me krimin që ka bërë? Faji është i njerëzve të drejtësisë që janë kthyer në vasalë të Saliut. Kështu që, është humbje kohe që të merremi me Saliun, pasi dihet botërisht që Sali Berisha është kryekriminel i Shqipërisë. Të gjitha krimet që janë bërë duhen zbardhur dhe të jeni të bindur se kryekrimineli është Berisha. Madje, dua të shtoj se një person në këtë moshë që është Saliu dhe që pohon krimin, i duhet hequr filli. Për Sali Berishën nuk duhet të ketë qëndrim politik dhe intervista politike, por për të duhet vetëm që drejtësia të veprojë.
-Mazhoranca prej korrikut të vitit që lamë pas ka ngritur një komision hetimor që po heton veprimtarinë e presidentit Ilir Meta, ndërkohë që marrëdhëniet mes tyre janë tejet të acaruara. A besoni se shumica qeverisëse do t’i shkojë deri në fund nismës së saj për të shkarkuar presidentin Meta nga detyra?
Për mua fakti që mazhoranca i shtyhu afatet e komisionit hetimor dhe e ridërgoi çështjen për interpretim në Komisionin e Venecias, është një shtyrje për të shtyrë, që i lë kohë një loje Remi që përdoret në shah. Kështu që, ata nuk janë të bindur dhe Presidenca ankohet dhe mazhoranca ankohet dhe duket si lojë dhe nuk janë të vendosur. Dhe e ndodhur përpara kësaj situate Komisioni i Venecias thotë që të dyja palët kanë të drejtë. Kështu që, edhe këto dy palë që janë në “luftë” me njëra-tjetrën janë pozicionuar në vend numëro.
-Si e shihni ndryshimin e kursit nga ana e opozitës joparlamentare, e cila u ul në tryezën e dialogut me mazhorancën qeverisëse sa i takon reformës zgjedhore?
Shyqyr që opozitës joparlamentare, e dirigjuar nga Partia Demokratike, i erdhën mendtë dhe u ul në tryezën e bisedime me mazhorancën qeverisëse sa i takon reformës zgjedhore. PD dhe aleatët e saj i bënë një vit dëm Shqipërisë dhe mos më shumë. Tërë molotovi që u hodh mbi institucionet dhe uniformat blu, djegiet dhe të gjitha ato që bënë patën një qëllim, që të sabotohej vendimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Dhe opozita me djegien e mandateve, protestat e përmbushën misionin e saj për të bllokuar integrimin e Shqipërisë, por që nuk ka për ta arritur gjithsesi. Kështu që, i vetmi rezultat i opozitës së bashkuar jashtëparlamentare është që e vunë Shqipërinë në një pozicion shumë të vështirë në momentin që gjykohej dhe vendosej për çeljen e negociatave. Ndërsa politikisht Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera aleate me sjelljen dhe veprimet e tyre gjatë këtij vitit të fundit kanë bërë një vetëvrasje. Nga ana tjetër në aspektin politik ky regres që bënë këto parti jo vetëm që i bëri dëme partive opozitare, por edhe Shqipërisë në kontekstin e brendshëm, jo thjesht tek ajo që përmenda dhe që janë negociatat. Por tani opozita e detyruar edhe nga ndërkombëtarët, që u bënë trima dhe u ulën në tavolinë, ky është një problem tjetër. Në këtë pikë, e rëndësishme është që opozita dhe mazhoranca të ulen në tavolinë. Sepse opozita ka bërë një gabim shumë të madh politikisht.
-A besoni se ulja në tryezën e dialogut mes opozitës joparlamentare dhe mazhorancës do t’i japë fund krizës politike dhe do të prodhojë zgjedhje të parakohshme?
Nëse opozita joparlamnetare ndihet e fortë le të futet në zgjedhjet e parakohshme. Por ma merr mendja se Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera nuk janë si të thuash në gjendje që të futen në zgjedhje të parakohshme. Kjo pasi të lësh Parlamentin, të lësh pushtetin lokal dhe të thuash që unë jam gati që të futem në zgjedhje, madje, në dy palë, domethënë që pasi i je shmangur dy shanseve që të jep demokracia, është vështirë që të gjesh momentin se kur hyn në zgjedhje. Opozita e bashkuar nuk ka praktikisht mundësi që operojnë brenda organizmave shtetërore që të kenë njerëzit e tyre që natyrisht është një favor, kur shtrohet problemi për pushtetin.
-Të dalim pak nga zhvillimet e brendshme politike dhe të fokusohemi tek politika ndërkombëtare. Pak ditë më parë qeveria shqiptare dëboi dy diplomatë iranianë me pretekstin se ishin kthyer në rrezik potencial për sigurinë tonë kombëtare. Ndërkohë që pas këtij veprimi lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei shpërtheu në akuza dhe sulme, teksa e etiketoi Shqipërinë si një vend të vogël e djallëzor. Si i cilësoni këto veprime dhe deklarata?
Shiko! Çdo vend dhe veçanërisht një vend i vogël si Shqipëria, ku kapacitetet janë minimale dhe të varfra sigurie është në interes të saj që të mos ketë si të thuash konflikte dhe kundërshtarë. Natyrisht që prania e Shqipërisë në NATO ka detyrimet e veta dhe se veprimet e Tiranës zyrtare ndaj Teheranit janë bërë në dobi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që, çdo vendim që merr Shqipëria bëhet në të mirë të SHBA-ve dhe aleancës. Por ritheksoj që e mira është që Shqipëria të mos ketë situata konfliktuale me shtete të tjera.
-Ish-kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa ka dhënë dorëheqjen nga ky institut dhe ka kërkuar azil në Zvicër, me pretendimin se ndihej i kërcënuar në Shqipëri. Ndërkohë, zotin Tufa e ka zëvendësuar në këtë detyrë Çelo Hoxha. Por duket se si Tufa, ashtu edhe zoti Hoxha kanë një alergji për LANÇ dhe janë në një linjë, pasi vijojnë të hedhin baltë mbi të. Si i cilësoni këto sulme dhe përse bëhen ato?
Po lëre o çun se unë jam në gjyq me ata. Por meqenëse më ngacmove po them dy fjalë. Ai Agron Tufa që iku është në aspektin e aventuristit kundër historisë, kundër Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare është minor në krahasim me këtë Çelon që e ka zëvendësuar në atë Institut. Ai arrinte deri atje sa me budallallëkun e tij, të absorbonte një bisedë. Ndërsa ky Çeloja është refraktar dhe reaksionar dhe ky është një problem i madh dhe tjetër.









































