Ngjarja u zbardh nga Policia e Shtetit dy ditë më parë, ku u dhanë detaje për operacionin që u zhvillua në Shijak.
49-vjeçari i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut ka ndërruar jetë rrugës për në resort, aty ku do mbahej peng. Rrëmbimi i Prengës ka ndodhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me pengmarrësit, si pasojë e prishjes së disa pazareve të drogës në Britaninë e Madhe.
Të prangosur për pengmarrjen dhe vrasjen e Jak (Jani) Prengës, megjithatë 4 të arrestuarit nuk kanë dhënë asnjë informacion në lidhje me ngjarjen e rëndë që kanë kryer.
Gjatë gjithë kohës në Policia ata nuk kanë pranuar asgjë, madje as në prani të hetuesit të çështjes. Mësohet se ata janë shprehur se do të flasin në një moment tjetër kur të dalin në gjyq.
Megjithatë ata insistojnë se nuk kanë gisht në pengmarrje pavarësisht provave filmike që Policia ka kundrejt tyre. E vetmja gjë që ata pranojnë është akuza e armëmbajtjes pa leje.








































