Jan Prenga u rrëmbye me dhunë në 17 janar në Kamëz dhe si pasojë e plagëve të marra dhe gjakderdhjes nuk arrti të mbijetonte. Ndërsa ngjarja e rrëmbimit të tij është zbardhur dhe autorët janë arrestuar, ende nuk është gjetur trupi i tij i pajetë dhe familjarët i bëjnë thirrje shtetit që të gjendet sa më parë.
Pikërisht ky që shihni në foton e mëposhtme është 49-vjeçari Jan Prenga, baba i pesë fëmijëve.
“Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H. Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng”, njoftoi policia.
Prenga ka ndërruar jetë pa mbërritur te resorti lukzos në pronësi të Altin Hajrit, i cilësuar nga autoritetet italiane si “kapo” i drogës.
“Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe”, thuhej më tej në njoftimin e policisë.









































