Ditën e sotme është paraqitur para gjyqtarëve për të dytën herë për seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, bëhet fjalë për Anton Martinin ose siç njihet ndryshe “Prokurori i hekurt’
Martini ka hetuar dosje të bujshme si ajo e “bandës së Durrësit” , “bandës së Lushnjes” dhe atentatin e Arjan Ndojit, është renditur i dyti në listën e KLP për të qenë pjesë e SPAK.
Atij i duhet të kalojë dy shkallët e vetingut për tu zgjedhur si një nga prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Hetimi ndaj tij u rihap pas një denoncimi në adresë të tij, për punën si drejtues i prokurorisë Shkodër. Denoncuesi ka shprehur dyshime se subjekti i ka hequr dosjet prokurorëve.
Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Martini ka mbajtur edhe postin e drejtuesit të prokurorisë së Shkodrës. Në vitin 2015 ai u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, por këtë vendim e kontestoi për parregullsi. Shkak për këtë largim u bë një përplasje e prokurorit me ish-shefat e tij, gjë që i kushtoi largimin nga kryeqyteti.