Skandal i Tiranës në merkato, largon të rinjtë e saj, sjell afrikanët që luajnë në Kategorinë e Parë

0
433

Largimi i Kërçikut pak ditë më parë, por edhe i ndonjë lojtari tjetër nga radhët e Tiranës, ka sjellë jo pak polemika, pasi këta elementë janë bërë pjesë e skuadrave rivale të Tiranës në kategorinë Superiore. Duket e pabesueshme, por ekipi që synon të fitojë titullin kampion këtë sezon dhe që ka në filozofinë e punës së tij fuqizimin e skuadrave zinxhirë dhe sjelljen në ekip të parë të elementëve të talentuar nga akademia bardheblu, po sillet shumë keq me lëvizjet e saj në treg, duke lejuar largimin e lojtarëve të dalë nga akademia e saj e në vend të tyre duke sjellë lojtarë të huaj, lëvizje aspak premtuese e aspak në përputhje me strategjinë që kanë të shkruar vetë klubet tona në tërësi e Tirana në veçanti. Padyshim, këtë fakt e vërteton edhe lëvizja e fundit që ka bërë Tirana në treg, ardhja ditën e djeshme e një futbollisti që luan në Kategorinë e Parë, pikërisht me besëlidhjen e Lezhës. Është një lojtar i mirë, por asgjë nuk krahasohet me faktin se po harrohen e po dalin “të tepërt” lojtarët e akademisë bardheblu, ku emrat janë konkretë si Kërçiku, Daja etj.

Sidibe bëhet pjesë e Tiranës

Sikurse raportohet tashmë dhe zyrtarisht, Tirana ka siguruar shërbimet e Lancinet Sidibe. Klubi bardheblu ka fituar konkurrencën ndaj Teutës e Skënderbeut duke mbyllur marrëveshjen me Besëlidhjen, që është klubi i cili zotëronte kartonin, dhe me vetë futbollistin nga Guinea. Sezonin e shkuar 23-vjeçari ishte pjesë e Teutës, me të cilën zbriti në fushë në 33 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe dhuruar një asist. Përveçse me Besëlidhjen në Kategorinë e Parë, mesfushori ka qenë edhe pjesë e Flamurtarit në sezonin 2017-2018, edhe në atë rast duke gjetur një herë golin. Sidibe është konsideruar një futbollist me të dhëna mjaft interesante sidomos falë shtatlartësisë së tij 1.89 m. Në ndeshje të caktuara ka treguar se është i aftë të bllokojë kundërshtarët dhe të rinisë aksionet. Në 6 muajt e parë të këtij sezoni, edhe pse kishte kontratë me Besëlidhjen, ai u aktivizua në atdheun e tij, për të qenë më pranë familjes. Sidibe pritet të shtojë ndjeshëm konkurrencën në mesfushën e bardhebluve, pasi përvoja në Kategorinë Superiore nuk i mungon. Edhe pse është vetëm 23 vjeç, ai është ka zbritur në fushë në 61 ndeshje në shkallën më të lartë të futbollit tonë.

Projekti me akademinë aspak funksional

Dihet, klubet e mëdha kanë strategjinë e tyre afatgjatë. Partizani, Vllaznia, Tirana, Skënderbeu e shumë ekipe të tjera kanë strategjinë e tyre në treg, por edhe me skuadrat e moshave, madje ekipet re lartpërmendur kanë fituar trofe edhe tek ekipet e moshave, duke u dhënë përparësi të rinjve. Por vetëm kaq, pasi nga lojtarët e rinj shumë pak elementë kanë mundur të fitojnë një vend titullari në ekipin e parë. Jurgen Bardhi i Partizanit është një i tillë, por tek Tirana ka pasur më shumë, megjithëse asnjëri nuk është shtyllë e skuadrës dhe thuajse të gjithë deri tani janë parë si plotësues. Prandaj dhe largimet janë të paevitueshme e prandaj dhe Tirana ka aq shumë vite që lëngon. Ka munguar një strategji afatgjatë në menaxhimin e lojtarëve të rinj dhe kjo është arsyeja që elementët më të mirë të Tiranës aktivizohen në klubet e tjera të Superiores apo në Kategorinë e Parë, e në mungesë të lojtarëve Tirana kërkon në treg lojtarë të huaj. Skandal! Një skandal i tillë vetëm në futbollin shqiptar ndodh, çka tregon se klubet kanë dështuar tërësisht. Sepse nuk është vetëm Tirana, por thuajse të gjitha skuadrat pretendente lakmojnë lojtarë të huaj për interesa meskine të presidentëve të klubeve, të cilët janë të prirur të shohin interesin afatshkurtër, pra të fitojnë trofe, e në funksion të këtij objektivi bëjnë blerje të shtrenjta sezonale e harrojnë projektin afatgjatë me të rinjtë, të cilët “ngrohin” stolin në pritje t’u vijë radha, një mundësi që ka ndodhur shpesh në këto 30 vjet që nuk vjen kurrë./Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here