Moikom Zeqo: Nuk dëgjohet zëri i specialistëve për monumentet e kulturës, postet në institucione i kanë marrë militantët

0
426

Studiuesi dhe arkeologu Moikom Zeqo shprehet se në një kohë kur zëri i specialistëve të trashëgimisë kulturore nuk dëgjohet sa duhet nga institucionet përgjegjëse, monumentet e kulturës vazhdojnë me probleme. Në intervistën për “SOT”, studiuesi Moikom Zeqo shprehet se problem sot është dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, ku i njohur si një institucion, që dikur ishte me specialistë të fushave dhe mbulonte tërë vendin për monumentet, sot nuk kryen atë funksion si dikur. Shqetësues për arkeologun Moikom Zeqo është mungesa e specialistëve në fusha të ndryshme, duke pohuar se afresket në objektet e kultit në vend janë me jo pak probleme. Sipas tij, sot kemi kisha ku prej dekadash nuk është bërë ndërhyrje në afreske, që rrezikojnë jo pak. Specialist i njohur në fushën e trashëgimisë kulturore dhe një nga zërat kritikë në drejtim të institucioneve për punën dhe kujdesin, që nuk kanë treguar ndër vite në monumentet e kulturës, Moikom Zeqo shprehet se përballë kësaj gjendje duhet ngritur një komision i veçantë nga shteti ose Ministria e Kulturës. Sipas tij duhet të ketë edhe një grup restauratorësh për afresket, ku restaurimi kërkon njohuri të thella dhe profesionalizëm.

-Specialistëve të trashëgimisë kulturore janë shprehur se duhet më shumë kujdes nga institucionet për objektet e kultit në vend, monumente kulture që kanë probleme, ku dhe afresket duan vëmendje. Për ju sa është shqetësuese?

Unë mund të them, që duhet ngritur një komision i veçantë nga shteti ose Ministria e Kulturës, si dhe një grup restauratorësh për afresket e kishave në vend. Ne kemi dëmtime të mëdha në afreske në kisha ndër vite. Kjo jo vetëm nga koha, por edhe nga njerëzit, që i kanë dëmtuar. Përmend këtu që para disa vitesh njerëz të panjohur shkatërruan afresket e mrekullueshme të Onufrit të shekullit të 15 në kishën e Valshit në Shpat. Unë atë kohë kam reaguar për këtë çështje, disa nga fragmentet e afreskeve ishin të thyera dhe të rrëzuara në dysheme të kishës në Valsh të Shpatit, por këto duhet të ishin marrë dhe të ishin restauruara ose pjesërisht të restauroheshin, sepse ishin prishur, por një gjë e tillë nuk u bë. Mua më vjen shumë keq, që disa nga kryeveprat që kemi ne të trashëgimisë sonë kulturore të afreskeve, të kishave që ndodhen në Voskopojë, por edhe në Vithkuq me kalimin e kohës dhe të shekujve janë zbehur ngjyrat dhe mund të kenë gati mbi 50 vjet, që nuk është bërë asnjë restaurim, pra i bie gjysmë shekulli. Për mua kjo nuk është aspak e drejtë. E dyta, ne kemi disa kisha të cilat i kanë dyert të hapura siç është kisha e Kurjanit apo dhe të tjera, ku ngaqë portat janë të hapura hyn dhe del kushdo, hyn era dhe shiu dhe afresket rrezikojnë shumë. Unë mendoj se është e domosdoshme, që të krijohet një organizëm, qoftë në formën e kujdestarëve, që të shikojë këto afreske, që janë sot në kishat në vendin tonë. Por aq e rëndësishme është në formën e një komisioni, i cili të ngrejë problemin se çfarë do të bëhet me afresket, që fillojnë në Shqipëri që nga shekulli 14 dhe deri në shekullin 19. Me vlera të veçanta janë afresket në kisha, që i takojnë shekullit të 16 dhe 18 në vendin tonë. Këto jo vetëm që duhet të ishin evidentuar nga pikëpamja fotografike që të botoheshin dhe në album, pra të ishte një subjekt i Akademisë së Shkencave gjë që nuk është bërë, por sa di unë nuk ka asnjë tentativë për të bërë restaurimin e këtyre afreskeve, që prej nga dëmtimi i kohës. Edhe një specialist të mirë, që kishim në Institutin e Monumenteve të Kulturës, që u largua siç është Mustafa Arapi, i cili ka vazhduar punën e tij për rregullimin e afreskeve edhe në kishën e Prizrenit, ky njeri duhej të ishte mjeshtër për të krijuar një ekip për restaurimin e afreskeve në kishat sot. Restaurimi i afreskeve kërkon njohuri të thella për ta bërë këtë punë, kërkon profesionalizëm shumë të madh specialistësh dhe sot në Shqipëri ne nuk kemi asnjë restaurator të afreskeve në vend.

-Ju herë pas here jeni shprehur me kritika ndaj Institutit të Monumenteve të Kulturës. Keni reaguar për mungesën e specialistëve, por çfarë duhet bërë për këtë institut sot?

Çdo gjë duhet reformuar. Institutit i Monumenteve të Kulturës duhet të kthehet në përmasat apo të paktën në funksionalitetin që ai ka pasur dikur në punën me monumentet e kulturës në vend. Por kjo bëhet duke e pasur me specialistë atë institut. Por specialistë të trashëgimisë kulturore mungojnë sot në institut, në mënyrë të veçantë mungojnë për arkitekturën dhe ikonografinë. Specialistë të këtij tipi ne nuk kemi sot me sa jam unë në dijeni, sepse nuk i di të gjitha gjërat, por arkitektura dhe ikonografia nuk kanë specialistë sot për monumentet. Në botë ka, por këtu tek ne nuk ka.

-Në muajin e parë të këtij viti që ka nisur çfarë apeli keni në drejtim të Ministrisë së Kulturës për punën në trashëgiminë kulturore në vend, për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve, projektet që duhet për të ndërhyrë?

 Një Ministri Kulture, e cila pretendon të stimulojë turizmin kulturor në vend përveç disa pikave dhe programeve dixhitale ose fotografike, nuk ka atë që quhet substanca e trashëgimisë kulturore, specialistët për rregullimin e trashëgimisë të shekujve ose të monumenteve. Ministria e Kulturës nuk ka njerëz kompetentë. Apeli im në drejtim të Ministrisë së Kulturës është që të thërriten specialistët ose të interesohen që të formohen këta njerëz kompetentë për trashëgiminë kulturore nëpër shkolla apo kurse të ndryshme.

-Sipas jush sa e kanë dëgjuar zërin e specialistëve të trashëgimisë kulturore institucionet përgjegjëse dhe sa kanë bërë për të ndryshuar këtë gjendje me probleme sot në monumentet e kulturës në vend?

Asnjëherë nuk dëgjohet zëri i specialistëve të trashëgimisë kulturore për problemet me monumentet e kulturës. Ne që kemi qenë dikur dhe jemi marrë me monumentet e kulturës, nuk na dëgjohet zëri nga institucionet tona. Por ne si specialistë të fushës bëjmë detyrën tonë, sepse ne kemi vetëdije që duhet, por unë nuk besoj se dëgjohet zëri jonë nga institucionet. Nëse do të dëgjohej zëri i specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore me monumentet e kulturës në vend do të na thërrisnin në konsultat që mund të bënin, do të na merrnin dhe ndonjë mendim, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në monumentet e kulturës ka pasur dëmtime, sepse nuk ka specialistë, nuk ka njerëz të duhur për tu marrë. Këtu ka militantë, që kanë marrë postet.

-Ju përmendët pak më lart mungesën e kujdestarëve në monumentet e kulturës. Një rrjet kujdestarësh, që dhe sipas specialistëve të tjerë të fushës së trashëgimisë kulturore nuk është si më parë. Si ka ndikuar kjo për monumentet e kulturës deri tani në vend?

Mungesa e rrjetit të kujdestarëve sigurisht që ka pasoja për monumentet e kulturës në vend, ku edhe janë vjedhur. Po të kishte një kujdestar si dikur për monumentet e kulturës, apo siç ka pasur më përpara për kishën e Valshit, nuk do të kishin hyrë brenda në kishë dhe do të kishin prishur afresket.

-Ministër Kulture dikur, çfarë mund të na thoni për institucionet ato vite?

 Ministria e Kulturës kishte një numër të madh institucionesh në varësi të saj. Një nga këto institucione ishte dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ( IMK). Atëherë Instituti i Monumenteve të Kulturës ishte i plotë. Kishte dhe revistën “Monumentet”, por dhe një grup të madh monumentologësh që punonin, studiuesish si dhe restauratorë dhe atelietë nëpër rrethe. Atë kohë Instituti i Monumenteve të Kulturës qe një organizim i plotë, një organizim që mbulonte tërë Shqipërinë.

-Ju pas tërmetit keni reaguar për problemin me kullën B të Durrësit. Në dijeninë tuaj sa është bërë deri tani?

Unë e kam ngritur këtë shqetësim herë pa shere. Dua të përmend që nuk ka marrë njeri mundim se çfarë do të bëhet me kullën B të kështjellës bizantine të Durrësit, në një kohë që duhet të kishte një projekt. Ashtu si ka projekte për ndërtimin e shtëpive të reja, ashtu duhet të kishte dhe një projekt shtetëror për kullën B të Durrësit.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here